Fishkëllima, thirrje “Rama IK” apo dhe zhvendosje e vëmendjes nga ndeshja tek prania e numrit 1 të shtetit shqiptar në pallatin e sporit të Shkodrës? Të gjitha këto pikëpyetje në fakt kanë marrë një përgjigje nga presidenti i Vllaznisë Alban Xhaferi i cili ka dashur të lëshojë edhe një mesazh me këtë rast.

I pyetur nëse tashmë Vllaznia e basketbollit ka një mik më shumë, pikërisht Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta i cili dje ishte i pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të ndjekur ndeshjen ndaj Tiranës, numri 1 i basketbollit shkodran është përgjigjur:

“Kënaqësi shumë e madhe është ardhja e Presidentit të Republikës për të parë një ndeshje basketbolli. Ashtu siç do ishte kënaqësi edhe ardhja nesër e një kryeministri apo dhe e kryetarit të opozitës

Ata janë të ftuar në Shkodër dhe e rëndësishme është që basketbolli në veçanti dhe sporti në përgjithësi, të bashkojnë njerëzit dhe të bashkojnë edhe politikën”.

Një thënie e bukur në fakt dhe do të ishte mirë që njerëzit e politikës të ndihmonin mbi të gjitha sportin. Në mënyrë që kjo fushë e jetës të mos ketë veç probleme por edhe festa e gjëra të bukura ashtu siç ishte mbrëmë në Shkodër.
© shkodrasport.com