Në ndeshjet e fundit, Vllaznia nuk ka bërë fort mirë në takimet e luajtura dhe me rezultatet negative që po merr dhe mënyrën e lojës që po zhvillon, i ka bërë të gjithë ta kritikojnë. Me nota negative flet për ecurinë e saj edhe ish-futbollisti i saj, Altin Xhahysa, sot trajner futbolli.
Xhahysa shprehet se ka parë një Vllazni pa karakter, ndërsa thekson se është gabuar me largimin e trajnerit Thomas Brdariç, teksa sipas mendimit të Xhahysës, ai trajner bëri që Vllaznia të jetë e bukur në fushën e lojës. Xhahysa flet edhe për ndeshjen e sotme Vllaznia-Partizani, teksa thotë se lojtarët duhet të hyjnë në fushën e lojës shumë të qetë, për të dhënë 100% nga vetja e tyre, me një grintë e karakter ndryshe nga ndeshjet e fundit.
“Normal, emocionet për Vllazninë janë gjithmonë, por është një moment, si edhe fjalët nuk po na dalin tamam si duhet, sepse nuk po na lë Vllaznia të flasim. Të them të drejtën, ka ardhur një pikë për Vllazninë, që edhe do që të flasësh, por edhe nuk mundesh të flasësh. Shoh një Vllazni që vetëm karakter nuk kam parë e para e punës.
E kam prekur edhe më përpara, që për mua, gabimi më i madh ka qenë largimi i trajnerit Brdariç dhe e them me plot bindje ai trajner bëri që Vllaznia të jetë e bukur. Ai trajner bëri që të vijë tifozi, që të afrohej tifozi. Ai trajner bëri sot Vllazninë, ku është, që ne kërkojmë Vllazninë.
U largua trajneri Brdariç, por fryma mbeti e njëjtë. Normalisht, kur ndërrohet trajneri, ndërrohet çdo gjë. Prandaj, e thashë, nuk shoh frymë të re. Në qoftë se, unë e heq trajnerin për gabimet e tij, të cilat i pranojmë që kanë qenë të shumta, por unë duhet të fus një frymë të re.
Këtu është problemi i parë. Pastaj, më mirë se e dinë drejtuesit, me në krye presidentin Xhaferi, nuk e di askush. Ne flasim si specialistë, ne flasim se e duam Vllazninë. Ne flasim se na dhemb, por të them të drejtën mua Vllaznia s’më ngroh.
Këtë anën psikologjike, unë e kam përmendur shumë shpesh dhe do e përmendi. Futbolli shqiptar është shumë pak anë taktike, për ta krahasuar me futbollin e huaj.
Këtu, futbolli shqiptar, një ekip po nuk pat harmoni, një ekip po nuk pat grupin, një ekip po nuk pat bashkëpunim, një ekip po nuk pat anën psikologjike të qetë, është e vështirë. Këto gjëra janë që e çojnë ekipin të ecë përpara.
Atë që bëri trajneri si ishte më përpara, Brdariç, që e mbledhi grupin, por gjatë rrugës aty u prish. Unë e kam prekur dhe do ta prek.
Aty ka pasur lojtar-trajner shumë probleme, sidomos javët e fundit. Tani, ka ardhur në këtë pikë, ku është Vllaznia sot. Pra, është bazë kjo pjesë.
Derisa, futbolli luhet 11-11, ti do të jesh i detyruar ti si trajner, gjënë e parë të punosh te ana psikologjike dhe jo të dilet për çdo ndeshje e të thuhet ana psikologjike. Për atë punë, është trajneri. Stafi për atë punë është. Drejtuesit për atë punë janë. Të merren masat.
Kemi shkuar dhe i kemi parë dy-tre ndeshjet e fundit si me qenë Vllaznia para 6-7 vjetëve të them të drejtën. Unë e di se kritikohem të gjitha herët, por do ta them atë që është gjithmonë.
E kuptoj krejt qartë se këtu nuk duhet të flasim. Këtu duhet t’i mbash krahut njërit dhe tjetrit, por e vërteta është e vërtetë. Gjërat duhet të thuhen si janë. Unë nuk e shoh Vllazninë aty ku dua ta shoh unë Vllazninë në asnjë aspekt.
Këta lojtarë e çuan Vllazninë në këtë gjendje. Ku është problemi kryesor? E thashë, në fillim, janë drejtuesit që duhet ta dinë. Ata janë të parët që duhet të shprehin problemet e tyre që kanë.
Normalisht, problemet janë që tek koka, duke nisur nga presidenti Xhaferi e deri tek më i fundit. Çdo gjë që fillon është koka, pastaj fillon trupi e me rradhë. Prandaj, nuk është vonë.
Të mblidhen, të diskutohet, të shqyrtohen gjërat si janë dhe të thuhen gjërat si janë, në qoftë se ekipi, do të ecë. Edhe atë tifoz që e afrove, je duke e larguar direkt.
Ke për ta pasur të vështirë ta afrosh tifozin. Kam dëgjuar edhe në fund të ndeshjeve intervistat e trajnerit Plori kur tha se presioni në Shkodër.
Të them të drejtën, po flas për vete personalisht, kur kam luajtur futboll, të paktën nën 10 mijë vetë, nuk e kemi pasur asnjëherë stadiumin dhe presionin unë e kam pasur. Sot, me 2 mijë vetë, ku është presioni? 2 mijë edhe nuk janë, por po them 2 mijë. Ku është presioni? Prandaj, këto gjëra duhet të diskutohen.
E thashë edhe njëherë një minutë e më parë, duhet të mblidhen komplet, si drejtuesa, si staf, si lojtarë, të bëjnë diçka për Vllazninë. Kam frikë se mos shkon edhe më keq.
Të them të drejtën, unë e kam shprehur edhe ndeshjen e parë në Tiranë, unë jam ndër të paktët që them, se Partizani nuk prodhon lojë, por pak më dhemb kjo pjesa që ka dy javë që ka fituar dhe e ka atë motivin. Ne duhet të luftojmë pak edhe me ecurinë e Partizanit, sepse vjen me një farë euforie Partizani.
Lojtarët duhet të hyjnë në fushë të qetë, me një grintë tjetër, të hyjnë me një karakter. Lojtarët mos ta mbajnë mendjen se shtatë javë ka edhe kanë për të ikur.
Dua ta theksoj këtë pjesë. Eshtë duke ardhur fundi i kampionatit dhe janë 13 lojtarë që duan të ikin në një klub tjetër. Lojtarët duhet të japin 100% e tyre”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran, Altin Xhahysa.
Maringlen ZHIVANI