E gjithë skuadra e Bazelit në karantinë! Lajmi ka ardhur pak orë para zhvillimit të klasikes së futbollit zviceran kundër Zyrihut e cila është anulluar nga autoritetet e futbollit në vend, më këshillimin e autoriteteve shëndetësore në Bazel.
Vendimi erdhi pasi tamponët e fundit që kreu ekipi, nxorën një futbollist pozitiv ndaj COVID-19. Problemi ishte se ai kishte qenë në stërvitje para se të merrte përgjigjen e testeve dhe ishte në kontakt me lojtarët e tjerë, pjesëtarët e stafit apo personelin e klubit.
Në një situate të tillë, në darkën e të shtunës, autoritetet shëndetësore vendosën që e gjithë skuadra të futej në karantinë, ndërsa do të zhvillonte testime të dyfishta për të përcaktuar më pas nëse lojtarët do të dilnin nga karantina.
Kështu, koronavirusi ndalon edhe një herë zhvillimin normal të klasikes, ashtu siç kishte ndodhur në fund të sezonit të kaluar, kur ekipi i parë i Zyrih ishte në karantinë. Në ndeshje u paraqit ekipi U21, me Bazelin që shënoi një fitore të lehtë 4-0. /vipsport/