
Drejtuesit e shoqatës së shahut të Vllaznisë kanë bërë emërime të reja në postet e trajnerëve ditën e sotme. Ka qenë kryetari i kësaj shoqate Xhemal Shkjau që ka bërë të ditur për gazetën online
www.shkodrasport.com edhe emërimet e reja. “Bordi i shoqatës së shahut të Vllaznisë pasi ka shqyrtuar situatën e krijuar dhe objektivat për të ardhmen, ka vendosur të bëjë disa lëvizje dhe emërime të reja trajnerësh. Kështu, trajner i ekipit të të rriturve të Vllaznisë është emëruar Eduard Hoxha ndërsa trajner i ekipit të të rinjve është emëruar Bernard Leka. Pasi kemi bërë këto zgjedhje, ua kemi bërë të ditur edhe drejtuesve të klubit Vllaznia dhe të shpresojmë që gjërat do të shkojnë në mënyrën e duhur në të ardhmen”. Por nëse ka ndryshime dhe emërime trajnerësh të rinj, ajo që duhet theksuar është se shumë shpejt sporti i shahut në Shkodër do të ketë edhe sallën e tij të re. Ka qenë një investim tërësisht personal i presidentit Shkjau që e ka bërë të mundur këtë gjë dhe sipas tij, shumë shpejt do bëhet inagurimi i saj. “Themi se punimet janë drejt fundit. Salla e re e shahut që është ndërtuar në ambjentet poshtë shkallëve të stadiumit “Loro Boriçi” besoj se do të na ndihmojë edhe më tepër në rritjen e cilësisë sportive dhe afrimin e të rinjve me këtë sport”-ka thënë presidenti Xhemal Shkjau.
www.shkodrasport.com