Xhudistja e Vllaznisë Krista Kovaçi ka fituar medalje të argjendtë në “Casablanca Cadet African Cup 2026” që po zhvillohet në Marok. Ajo ka bërë paraqitje shumë të mira dhe është ndalur vetëm në finale, duke marrë kësisoj medaljen e vendit të dytë në këtë eveniment të rëndësishëm.
Krista Kovaçi ka konkurruar në peshën -63 në kategorinë kadetë dhe në turin e parë është ndeshur me një sportiste nga Jordania, duke fituar njëkohësisht të drejtën për të vijuar më tej konkurrimin dhe në turin gjysmëfinal është ndeshur me një xhudiste nga Tunizia. Pas këtij suksesi, sportistja jonë siguroi të drejtën për të konkurruar në finalen e kësaj peshe.
Aty do të ndeshej me sportisten nga Egjipti Dalida Elggarbawy me të cilën do të bën një ndeshje shumë të bukur, por në fund do të penalizohej nga një gabim teknik dhe si rrjedhojë e humbet ndeshjen duke u mjaftuar në këtë mënyrë me vendin e dytë.
Medalja e argjendtë që Krista Kovaçi fitoi sot në Marok është tregues i rezultateve gjithnjë në rritje të sportisteve tona dhe ashtu si dhe e motra- Kasandra, po arrijnë rezultate të larta në arenën ndërkombëtare dhe me siguri që ato nuk do të ndalen këtu.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


