Vllaznia kërkon të bëjë një goditje të madhe në merkaton e janarit dhe është pikërisht Sindrit Guri emri që po lakohet gjithnjë e më tepër në klubin shkodran.
Edhe pse dje sponsori i klubit kuqeblu, Alban Xhaferi, mohoi diçka të tillë gjatë një bisede për “Panorama Sport”, gazeta ka zbuluar se prej disa ditësh ka pasur kontakte mes palëve për një rikthim të mundshëm të sulmuesit në Shkodër.
Mirëpo, Guri është nën kontratë me klubin belg, Ostende, dhe pavarësisht se ka luajtur shumë pak këtë sezon (vetëm 3 ndeshje), sërish duket e vështirë që të arrihet një konsensus. Burime pranë lojtarit tregojnë se edhe në rast se Ostende është dakord për të dhënë në formë huazimi 27-vjeçarin, sërish problem është rroga.
Guri merr rreth 25 mijë euro neto në muaj dhe kësisoj, edhe sikur klubet të gjejnë akordin për të paguar lojtarin gjysmë për gjysmë, zor se Vllaznia mund të plotësojë këtë kërkesë. Gjithsesi, në klubin shkodran besojnë shumë se kjo negociatë mund të finalizohet me sukses në ditët e ardhshme.