Reali i Madridit është vetëm një fitore larg kualifikimit në raundin e 1/8-ave të Ligës së Kampione, teksa ditën e nesërme do të presin Bragën në “Santiago Bernabeu”. Karlo Ançeloti foli për këtë takim, duke u shprehur se do të kenë një ndeshje të fortë përpara, por skuadra e tij do të hyjë në fushë për fitore.
“Loja jonë nuk bazohet në individë. Ne shikojmë se si luan skuadra kundërshtarë dhe organizimi i tyre, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Sulmuesit e Bragës janë lojtarë të shpejtë. Ata kanë dhe një sulmues që është i gjatë dhe i fort në lojën në ajër. Ata luajnë futboll të mirë. ne nuk na mjafton vetëm të luajmë mirë, por duhet të bëjmë shumë më shumë se aq.
Nëse është midis lojës së mirë dhe fitores, atëherë unë do të zgjidhja fitoren. Është e vetmja gjë që një trajner gjykohet. Jam i sigurt se në 80% të ndeshjeve ku luan mirë, atëherë fiton.
Belingham? Nuk jam i sigurt nëse ai do të luajë. Ai u stërvit sot, që do të thotë që është në gjendje të mirë. ai është rikuperuar dhe ndihet mirë. Nesër do të marr vendimin final.
Vini? Nëse Pyoli dëshiron të flasë me Vinin atëherë le ta bëjë. Ai akoma bën diferencën. Ai akoma duhet të përmirësojë qëndrimin që mban në disa situata, por ai është përmirësuar shumë dhe vazhdon ta bëjë. Ne jemi të lumtur me të dhe me atë që ai bën në fushë.
Është e vështirë që të parashikosh se sa gola duhen shënuar për të fituar një ndeshje. Kjo skuadër ka shënuar mesatarisht dy gola për ndeshje. Nuk i kam parë akoma statistikat këtë vit, por pjesën e parë të këtij sezoni ne kemi shënuar dy gola e pak për ndeshje. Jemi përmirësuar shumë në mbrojtje, kemi mbajtur shumë herë portën e paprekur.
Kritikat? Kam ndjerë shumë dashuri nga fansat. Ata më tregojnë shumë dashuri mua dhe klubit në “Bernabeu”. Nuk i ndjej shumë kritikat, pasi ndihem shumë mirë te Reali i Madridit.
Nuk kemi asnjë plan për merkaton e dimrit dhe nuk na duhen. Duhet të fiksojmë në mendjet tona që në pjesën e dytë të sezonit Kurtua dhe Militao do të na rikthehen.
Nuk mendoj se ka shumë surpriza në këtë sezon të Ligës së Kampionëve. Ekipet që kanë konkurruar në vitet e kaluara do të bëjnë të njëjtën gjë, sigurisht përveç Liverpulit që këtë vit nuk janë këtu. Mendoj se standardi i ekipeve të nivele të larta si Mançester Siti, Bajerni i Mynihut dhe PSG është i njëjtë. Ekipet spanjolle do të konkurrojnë më shumë këtë sezon në Ligën e Kampionëve.