Gazetari Mariglen Zhivani, foli në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, për situatën te Vllaznia, ku trajner është emëruar Migen Memelli, lëvizje kjo që ka krijuar një skepticizëm të madh.
Sipas Zhivanit, në rast të një dështimi të trajnerit të ri, situata mes tifozëve dhe klubit mund të shkojë si mos më keq. Më tej ai foli edhe për merkaton, për lëvizjet në dalje dhe në hyrje te kuqeblutë.
“Nëse në Shkodër nuk merret titulli edhe këtë vit, do të bëhet qameti, në kuptimin e asaj, që Shkodra prej shumë vitesh ka pritshmëri për Vllazninë. Me skepticizmin që ka tifozeria shkodrane me trajnerin e ri, situata mund të shkojë si mos më keq në marrëdhënien klub-tifozeri.
Te Vllaznia po provohet një strategji e re me Memellin dhe Shtubinën. Kjo mua personalisht nuk më bind, sepse po t’i marrim me emra, qoftë Memellin dhe qoftë Shtubinën, janë të rinj në pjesën e trajningiut dhe mungesa e eksperiencën mund të çalojë diçka te Vllaznia. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe të bëjnë një punë të mirë, sepse skepticizmi për Memellin është shumë i madh. Këtë skepticizëm nuk e kemi hasur në Shkodër, nga koha kur Vllaznia ishte në pronësinë e bashkisë.
Te Vllaznia janë 12 lojtarë pa kontratë. Kanë qenë lojtarë të rëndësishëm dhe titullarë. Gurishta thuhet se është pranë akordit me Tiranën, por mbetet të shihet. Gurishta, Latifi dhe Jonuzi, besoj që mund të largohen nga Vllaznia. Zogovic ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës. Në informacionet e mia, Ildi Gruda ka firmosur me Vllazninë. Po ashtu edhe Doriev është çështje e mbyllur. Po ashtu edhe Sala, është çështje e mbyllur. Priten edhe afrime të tjera”- u shpreh ai.