Gjatë fazës së parë të kampionatit, sa herë që ka dhënë një mendim në lidhje me ecurinë e Vllaznisë, mjeshtri I mirënjohur I futbollit shkodran dhe atij shqiptar Hysen Zmijani, ka ngritur zërin mbi mënyrën si janë bërë punët. Merkatoja e dobët, mosmenaxhimi siç duhet I situatës nga drejtuesit e klubit dhe gjëra të tjera, janë evidentuar shpesh prej tij. Por tashmë është ndryshe. Ish-mbrojtësi I djathtë I kësaj skuadre por edhe I kombëtares sonë, mendon se gjërat do jenë ndryshe tani e tutje e këtë e thotë edhe në prononcimin e tij për “Shkodra Sport” kur shprehet:
“Shoh një frymë ndryshe tek Vllaznia aktualisht. Ka ardhur një trajner I ri, kemi një president të ri dhe premisat janë për një skuadër ndryshe. Unë shpresoj dhe mendoj që ecuria do të jetë ndryshe në fazën e dytë. Edhe me mbështetjen e fuqishme të presidencës, jam I bindur se gjërat kanë për të qenë ndryshe”. Ndryshimin kryesor Zmijani e sheh në pankinë. Ai e ka të qartë se Duro mezi ç’priste të largohej por nga ana tjetër ai vlerëson së tepërmi uljen në pankinë të Bushatit, për të cilin ka komplimente ngaqë ka marrë skuadrën në këto momente të vështira. “Largimi I Duros mendoj se ka qenë I vonuar. E them këtë ngaqë edhe ai e kishte kuptuar se nuk kishte të ardhme tek Vllaznia. Fakti që ai ka zhvilluar vetëm nga një seancë stërvitore në ditë gjatë gjithë kësaj periudhe që quhet edhe fazë përgatitore, e vërteton më së miri këtë. Megjithatë ardhja e Bushatit të shpresojmë se do t’I vërë gjërat në vijë. Nuk mendoj se ka qenë e lehtë për të ta marrë drejtimin e skuadrës në këtë periudhë, por më vjen mirë që Bushati I vuri shpatullat Vllaznisë dhe do bëjë më të mirën për të. Ai bëri një sakrificë për ta marrë skuadrën në këto momente dhe ne si shkodranë duhet t’ia dimë për nder që e ka bërë këtë gjë. Ka një njohje të madhe me futbollistët që ka kaluar nëpër duar me ekipin Shpresa dhe ky është një plus tjetër. Jam I bindur se ka për t’I ecur puna këtij trajneri tek Vllaznia e këtë e them me shumë siguri”-ka thënë Zmijani. Vëmendja aktuale duket se është e përqendruar tek merkatoja. Ish-futbollisti I njohur I kuqebluve dhe pjestari I 11-shes më të mirë të 90 vjetorit të historisë së Vllaznisë, duke folur për të, thotë se nuk duhet mbajtur mendja vetëm tek Gilman Lika. “Bushati mendoj se e njeh mirë skuadrën, e di ku ka nevojë të përforcohet me lojtarë të tjerë dhe besoj se nuk do të gabojë kollaj. Po flitet për Gilman Likën shumë por nuk është I vetmi. Ai ndoshta nuk vjen dhe prandaj nuk duhet të mbesim vetëm tek ky emër. Trajneri aktual I Vllaznisë I ka lidhjet dhe njohjet e duhura për të gjetur lojtarët që I nevojiten kësaj skuadre”-thotë ai. Pavarësisht elozheve, Zmijani nuk harron t’u kujtojë drejtuesve të rinj të Vllaznisë shortin e ndeshjeve të para të fazës së dytë, duke u bërë thirrje njëkohësisht edhe tifozëve për mbështetje prandaj dhe në fund të prononcimit të tij do të shprehej: “Kalendari I ndeshjeve të para të fazës së dytë është shumë I vështirë, luhet në transfertë me Skënderbeun dhe prêt Kukësin. Dy rezultate positive në këto dy ndeshje do të thonin shumë për Vllazninë. Në këto momente ndoshta duhet edhe një mbështetje e tifozëve për Bushatin, për presidencën sepse dëshira është e madhe tek të gjithë ne për ta kthyer këtë skuadër në nivele të larta”.
Gjergj KOLA