Vllaznia do te luaje neser ndaj Teutes ne Shkoder dhe te gjithe ne kampin shkodran besojne tek fitorja. Keshtu mendon edhe portieri i saj Bojan Zogoviç i cili ka folur per “Panorama Sport” duke komentuar edhe fitoren e parë të arritur ndaj Laçit, si dhe golat e shumtë të pësuar në ndeshjet e fundit.

Malazezi që luan sezonin e dytë me fanellën kuqeblu, ka thënë ndër të tjera se ky kampionat është i paparashikueshëm për ekipin që mund të dalë kampion. Zogoviç vlerëson Teutën për mënyrën se si është paraqitur në përballjet ndaj Vllaznisë, por nga ana tjetër, thekson se Vllaznia ka në përbërje lojtarë shumë cilësorë, që sipas tij, janë në gjendje të zgjidhin ndeshjen në çdo moment të lojës.

Zogoviç duke folur ne lidhje me takimin e rradhes, eshte shprehur: “Është një ndeshje e vështirë, por unë mendoj se ne i kemi shanset të mëdha për fitore. Ne do të hyjmë në lojë me mendje të ftohtë, me dëshirën për të marrë tri pikë.

Ne kemi kartat tona për këtë ndeshje dhe jam i sigurt se do të futemi maksimalisht të karikuar në lojë. Do të jetë një ndeshje komplet ndryshe nga ajo e Superkupës. Kemi një ekip të mirë, luajmë në shtëpi dhe jemi gati për të shtunën, për të dhënë gjithçka para tifozëve të mrekullueshëm shkodranë.

Teuta ka cilësi, kjo është e sigurt, por siç thashë, episodet do të vendosin këtë ndeshje. Ne kemi lojtarë që mund të vendosin ndeshjen me cilësinë e tyre. Besoj se ata do të dinë të bëjnë më të mirën. Ne kemi të drejtë të jemi optimistë dhe do të luajmë në këtë takim vetëm për fitore”.