Bojan Zogoviç nuk ar riti ta mbyllte ndeshjen kundër Skënderbeut, pasi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 77-të të sfidës. Arbitri Alla, pas konsultimit me asistentët në VAR dhe këqyrjes së pamjeve në ekran, vendosi t’i tregonte të kuqin për herë të parë në karrierë gardianit.
Kartonët e kuq janë shndërruar në një sëmundje për Vllazninë në këtë sezon, pavarësisht se në dukje shkodranët nuk janë një skuadër që luan ashpër. Në lidhje me ndëshkimin e Zogoviçit kishte shumë protesta gjatë dhe pas ndeshjes.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zogoviç shprehet se gjyqtari me vendimet e tij e dëmtoi Vllazninë në këtë ndeshje. Megjithatë, Zogoviç beson se Vllaznia do të kthehet te fitorja që në takimin e radhës ndaj Dinamos, e cila po kalon një moment të vështirë dhe nuk e provon shijen e fitores prej kohësh.
Mendoni se Vllaznia la dy pikë në Korçë?
Pa diskutim që po. Ishte një lojë ku ne po shkonim drejt fitores, por gjithçka ndryshoi pas asaj që të gjithë e kemi parë se çfarë ngjau.
Si e keni përjetuar atë karton të kuq?
Vështirë, shumë vështirë. Ky është kartoni i parë i kuq në karrierën time. Dhe për më tepër e di shumë mirë se nuk e meritova.
A mendoni se shprehët shumë nervozizëm?
Patjetër që do të “shpërtheja” pasi nuk ishte e drejtë. Kjo jo vetëm ndaj meje, por ndaj gjithë ekipit që po luftonte fort në një ndeshje të vështirë.
Pra, sipas jush, ishte një vendim i padrejtë?
Nuk do ta komentoja shumë gjyqtarin tani. Për momentin gjithçka e kisha me të. Ju i keni parë të gjitha në televizion apo në stadium. S’kam më koment për atë. Gjithçka është e tepërt. Penalltia nuk ishte, por fatkeqësisht nuk mund të ndryshojmë asgjë tani. Kam qenë i bindur aty dhe vijoj që të jem edhe më tepër i bindur se nuk ka qenë penallti.
A po dënohet Vllaznia nga gjyqtarët?
Mund t’ju them se në këtë ndeshje jemi dëmtuar nga arbitri, por fatkeqësisht nuk është e vetmja ndeshje.
A po vuan Vllaznia për të gjetur rrugën e fitores?
Mendoj se po na e vështirësojnë rrugën, por besoj se nga ndeshja e radhës do të fillojmë sërish të fitojmë.
Titulli kampion është i pamundur apo ka ende shpresa?
Vështirësitë sa vijnë dhe rriten. Ne do të bëjmë punën tonë.
Pavarësisht mungesës suaj dhe kapitenit Gurishta, mendoni se Vllaznia do të fitojë ndaj Dinamos?
Kemi një numër të madh lojtarësh të mirë dhe besoj se djemtë do të bëjnë një lojë të mirë dhe do të fitojnë. Unë jam me skuadrën me gjithë zemër. Jam i bindur tek arritja e fitores.