Bojan Zogoviç ishte befasia e madhe këtë fundjavë në klubin e Vllaznisë. Pasi u stërvit për pesë ditë me skuadrën dhe pati një marrëveshje në parim mes palëve për rinovimin e kontratës edhe për një sezon, ndodhi e papritura. Të shtunën portieri malazez u takua me drejtuesit e klubit dhe përfundimisht nuk gjeti një marrëveshje, duke mos pranuar ofertën zyrtare për rinovim. “Pas tri vitesh, i vjen fundi bashkëpunimit me portierin Bojan Zogoviç.

Ai nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Klubi e falënderon publikisht për kontributin e dhënë për ngjyrat kuqeblu, shoqëruar edhe me fitimin e dy trofeve të Kupës së Shqipërisë. Faleminderit Bojan dhe suksese në karrierën tënde të mëtejshme!”, citohej ndër të tjera në njoftimin e klubit shkodran. Ndërsa vetë 34-vjeçari, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregoi pse nuk rinovoi kontratën me Vllazninë, ndërsa theksoi se ikën me kokën lart dhe ndihet krenar për tri vitet në Shkodër.

Bojan, nisët stërvitjen me Vllazninë që në ditën e parë dhe u mendua se kishit rënë dakord për të rinovuar kontratën. Çfarë ndodhi që u larguat nga skuadra?

Po, e vërteta është se fillova të stërvitem me ekipin dhe mendova se do të arrijmë një marrëveshje, duke parë edhe bisedat paraprake që bëra me drejtuesit. Mirëpo, në fund nuk arritëm të gjenim gjuhën e përbashkët me klubin dhe pas bisedimeve që bëmë, e mbyllëm këtu.

Ka ndonjë gjë që ju ka zhgënjyer në këtë periudhë?

Jo, nuk jam i zhgënjyer. Unë kam dhënë maksimumin tim. Luajta 3 vite këtu dhe jam krenar për këtë. Jam 34 vjeç dhe ndihem mirë fizikisht, kështu që do të përpiqem të gjej një klub me ambicie për të vazhduar karrierën. Gjithsesi, më duhet të them se më vjen keq që nuk vazhdova edhe për një sezon me Vllazninë.


Është diskutuar shumë për anën financiare. Si ka qenë situata me klubin?

Kjo është përfolur edhe më parë, por sinqerisht klubi i paguante të gjitha paratë që na takonin çdo vit. Unë flas për veten time dhe shikoj që klubi ka plane të tjera në lidhje me ekipin. Kësisoj, unë nuk qëndrova, kështu që sinqerisht i uroj shumë suksese Vllaznisë në sezonin e ardhshëm. Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer për tri vite.


Cili ka qenë momenti juaj më i mirë dhe më i keq në këto tri vite me Vllazninë?

Momentet më të bukura janë sigurisht dy Kupat që fituam dhe ndeshjet në Europë, sidomos kur mposhtëm Shiroki Briegun në Shkodër. Ato ishin ndeshje të shkëlqyera dhe të luajtura në një stadium me shumë tifozë, të cilët na mbështetën pa masë.

Ishin momente vërtet fantastike, që nuk kam për t’i harruar kurrë. Ndërsa momenti më i vështirë është kur fituam me Laçin në shtëpi në javën e fundit, por kjo nuk mjaftoi për të marrë titullin kampion. E mbyllëm me të njëjtat pikë me Teutën, por nuk u shpallëm kampionë prej golavarazhit. Ishte shumë e vështirë për mua, sepse mendoj se i meritonim të dy trofetë atë sezon.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, mund të qëndroni sërish në Superiore?

Do të shikoj në vazhdimësi. Tani jam në Podgoricë dhe do të pushoj për disa ditë. Gjithçka është e hapur, mund të vazhdoj edhe në Shqipëri.