Olivier Zhiru do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit edhe për një tjetër sezon. Ajo që pritej prej ditësh, është zyrtarizuar sot me një komunikatë nga klubi kuqezi, pasi futbollisti ishte në seli për të hedhur firmën në marrëveshje.
“AC Milan është i lumtur të komunikojë zgjatjen e kontratës së Olivier Zhiru. Olivier, te Milani që nga vera e vitit 2021, është kthyer në një pikë referimi në qendër të sulmit kuqezi, duke koleksionuar 76 prani dhe 26 gola”, shkruhej në komunikatën e klubit.
Zhiru ka firmosur deri në verën e vitit 2024, me opsionin për rinovimin edhe një tjetër vit, në një marrëveshje nga e cila do të përfitojë 3,5 milionë euro në sezon.
“Jam shumë i lumtur, gjithçka shkoi mirë. Ishte mënyra më e mirë për të festuar të mbrëmshmen, edhe pse gjëja më e rëndësishme ishte kalimi i turit. Unë ndjehem milanist që nga dita e parë, më pritën shumë mirë që në fillim. Ndjehem shumë mirë këtu”, tha vetë Zhiru pas firmës.