E kishim paralajmëruar një ditë më parë se ekipet e Akademisë Vllaznia do të nisin stërvitjen brenda pak ditësh dhe në fakt këtë gjë e ka konfirmuar sot edhe vetë klubi shkodran. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare është bërë e ditur se më 1 gusht do të zbresin në fushën e stërvitjes 4 prej ekipeve të kësaj Akademie, pikërisht ato që u nisin më herët kampionatet ndërsa të tjerët do të startojnë me përgatitjet e tyre pak ditë më vonë.

Sipas këtij njoftimi, në ditën e parë të muajit që vjen, në fushën e stërvitjes do të zbresin ekipet U19, U17, U16 dhe ai U15. Ky i fundit siç është bërë e ditur, do të marrë pjesë në kampionatin kombëtar që Federata Shqiptare e Futbollit organizon për herë të parë sivjet.

Drejtuesit e Akademisë bëjnë të ditur se stërvitja e ekipeve U15 dhe U16 do të startojë në orën 17.00 të datës 1 gusht në fushën “Reshit Rusi”, ndërsa ato U17 dhe U19 po këtë ditë por në orën 18.00. Në njoftim nuk bëhen të ditur emrat e trajnerëve që do t’i drejtojnë këto ekipe, por nuk pritet të ketë ndryshime.

Të paktën me ekipet e të rinjve dhe paratërinjve ku trajnerë pritet të jenë Luan Zmijani e Brikeno Bizi. Mbetet për t’u parë se kush do të jenë trajnerët e tjerë që do të drejtojnë grupmoshat më të vogla.

Por nëse stërvitja e këtyre katër ekipeve do të startojë më 1 gusht, ajo e ekipeve të tjera të Akademisë Vllaznia pritet të fillojë pak ditë më vonë ngaqë edhe kampionatet e tyre fillojnë pak më vonë nga të tjerët.
www.shkodrasport.com