Ka qenë fundshtatori i vitit 2011 kur e ndërmora këtë inisiativë. Një gazetë online i duhej Shkodrës dhe sportit shkodran për më tepër që çdo ditë e më tepër tashmë komunikimi dhe çdo gjë tjetër po e bëjnë internetin pjesë të domosdoshme të jetës sonë. Megjithatë, sot, pas 20 muajsh mendoj se sëbashku me disa bashkëpunëtorë të mi, kemi arritur një rekord. Mesnatën e së dielës, numri i klikimeve ka kaluar shifrën 1 milionë! Një shifër shumë e lakmueshme dhe besoj se SHKODRA SPORT është bërë një gazetë shumë e ndjekur nga një masë e madhe njerëzisht çdo ditë. Më rastis të takoj shumë njerëz të sportit dhe me kënaqësi dëgjoj prej tyre se për t’u informuar se çka ndodh në sportin shkodran, zgjedhin këtë gazetë, madje disa herë në ditë, sigurisht që ndjej kënaqësi. Objektivi ynë thuajse është arritur. Lajmi i parë çfarë ndodh në çdo lloj sporti në Shkodër, sigurisht që kalon nga SHKODRA SPORT.
Ashtu siç kemi pasqyruar vazhdimisht dhe në mënyrë korrekte sukseset e sportistëve shkodranë jashtë vendit. Një nga pikat më të forta të SHKODRA SPORT, natyrisht ka qenë historia, e kaluara. Fotot e vjetra, ato bardh e zi, karriera dhe historia e shumë sportistëve dhe sporteve të klubit Vllaznia, kanë qenë vazhdimisht pjesë e punës sonë. Ajo çfarë premtojmë është se do vazhdojmë në këtë rrugë. 1 milionë klikimet e deritanishme, janë një nxitje e madhe për ne. Por edhe një motiv për të vazhduar kështu. Megjithatë si krijuesi dhe drejtuesi i kësaj gazete më duhet të falenderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, mbi të gjithë webmasterin Terenc Pepa dhe fotogragin e palodhur Gjon Gjeka. Për të vazhduar pastaj me kolegët e mi, Admir Uruçi, Mejdan Zhivani, Senad Nikshiqi e Anton Zalli. Edhe ata, kush më shumë dhe kush më pak, kanë kontributin e tyre në ecjen përpara dhe përhapjen gjithnjë e më shumë të kësaj gazete. SHKODRA SPORT më duhet ta pranoj se është shndërruar në një pjesë të rëndësishme tashmë për shumë prej sportdashësve të këtij qyteti. Sigurisht edhe të atyre që janë jashtë Shkodre dhe jashtë Shqipërie sepse përmes kësaj gazete çmallen çdo ditë me qytetin e tyre, çmallen me sportin dhe sportistët e tij. 1 milionë klikimet e deritanishme na shtyjnë të bëjmë më të mirën për të ardhmen dhe të jeni të bindur se nuk do ndalemi këtu. Miliona klikime të tjera do vijnë shumë shpejt. Prandaj dhe në fund dua t’u themi një FALEMINDERIT të madhe të gjithëve ju që keni qenë pjesë e këtij bashkëpunimi 20 mujor mes nesh.
Gjergj KOLA