Kristiano Ronaldo dhe tifozët që janë kthyer në “Old Trafford” e kanë ndihmuar Mançester Junajtidin të shtojë vlerën në bursë me 550 milionë paund në vetëm 54 ditë.

Kualifikimi në Champions, kontratat e sponsorizimit dhe rikthimi i tifozëve në “Old Trafford” janë ndër faktorët kryesorë të rritjes së vlerës së aksioneve të klubit që zotërohet nga familja Glejzër. Por, një bum të jashtëzakonshëm ekonomik ka sjellë edhe rikthimi i sulmuesit portugez pas 12 vitesh në klub.

36-vjeçari u transferua në “Old Trafford” nga Juventusi në 27 gusht, duke rritur menjëherë aksionet e klubit në bursën e Nju Jorkut, për të vendosur edhe një rekord shitjesh së fanellave me numrin 7.

24 orë pas lajmit bombë, çmimi i aksionit të “Djajve” kërceu në 13.46 paund, me më shumë se një dollar në SHBA, ndërkohë që vlera në total e klubit shkoi në 2.19 miliardë paund. Por, prej atëherë, më 27 shtator çmimi i një aksioni arriti pikun në 15.09 paund dhe vlera në total e klubit 2.46 miliardë./panorama-sport.com/