Liverpool vendosi një rekord të ri në Premier League, pasi grumbulloi në total plot 97 pikë, për ta përfunduar sezonin në vend të dytë, si nënkampion me më shumë pikë në historinë e kampionatit anglez.
Kudo tjetër, me atë shumë pikësh, çdo skuadër do të fitonte lehtësisht titullin kampion, por fatkeqësisht për Jurgen Klopp dhe gjithë “Të Kuqtë”, Liverpool e mbylli vetëm një pikë pas Manchester City, kampion për të dytin vit radhazi në Premier League.
Një vend i dytë që me siguri u vendos nga ajo humbje ndaj Newcastle në janar, nga ana e Liverpool.
Në anën tjetër, kampionët fituan plot 14 ndeshje radhazi në kampionati, përfshirë edhe takimin e fundit të sezonit, me rezultatin 4-1 ndaj Brighton, në atë që është me siguri titulli më mbresëlënës Premier League deri tani nga gjashtë titujt në total.
“Qytetarët” e fituan me një pikë dhe pesë gola më shumë se Liverpool, por gara efektivisht u vendos nga milimetrat, për shkak të dy situatave të teknologjisë goal-line.
Fitorja e City 1-0 ndaj Burnley u vendos nëpërmjet realizimit të Sergio Aguero në të 63’, me arbitrin që akordoi golin pasi u sinjalizua nga teknologjia e goal-line.
Mbrojtësi i Burnley, Matt Lowton nxitoi të largojë topin dhe pastrojë zonën, dhe në fakt në pamje të parë u duk sikur kishte mjaftuar përpjekja e tij për të shmangur kalimin e vijës fatale.
Gjithsesi përsëritjet dhe moviola dëshmon se përpjekja e Agueros, kishte rezultuar e suksesshme, me topin që kishte kaluar vijën fatale me saktësisht 29.5 milimetra.
Në të vërtetë, vendimi më i vështirë në fakt erdhi pikërisht në përballjen mes dy kruesuesve, të zhvilluar në janar, në “Etihad”. Me Ederson të përfshirë në rrëmujë, mbrojtësi i City, John Stones ia doli të reagojë me shpejtësi, për të realizuar shpëtimin më të jashtëzakonshëm në vijën fatale.
Një veprim ky i Stones që la me gisht në gojë Mo Salah. Topi ishte vetëm 11.7mm larg kapërcimit të vijës fatale, çka do t’i jepte Liverpoolit avantazhin 1-0, në një ndeshje që më pas “Të Kuqtë” e humbën me rezultatin final 2-1.
Ishte pikërisht kjo disfata e vetme e Liverpool këtë sezon në Premier League, dhe nga ana tjetër ishte fitorja vendimtare City, që të ndalte rivalët nga fitimi i titullit kampion me një seri të pamposhtur./telesport/