Volejbollisti shkodran Anton Qafarena shumë shpejt është shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të ekipit të tij gjerman Volleyball Bisons Buhl. Mbrëmjen e sotme, është zhvilluar ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Gjermanisë dhe përballë këtij ekipi ka qenë TSV Herrsching. Ndeshja ka qenë e fortë por ekipi i shkodranit 20 vjeçar ka shfaqur më shumë dëshirë dhe grintë në fushë duke fituar me rezultatin 3-1 dhe duke siguruar daljen në finalen e këtij kompeticioni të rëndësishëm ku Buhl do të ndeshet me ekipin Berlin Recycling.

Në ndeshjen e sotme, Qafarena mësohet të ketë qenë një nga më të mirët në fushë dhe padyshim që ka marrë vlerësime shumë pozitive nga trajneri dhe drejtuesit e tjerë të ekipit të tij. Në këtë mënyrë, ish- volejbollisti i Vllaznisë brenda një kohe shumë të shkurtër jo vetëm është ambjentuar me volejbollin gjerman por edhe po shndërrohet në protagonist. Suksesi i sotëm është vetëm hapi i parë i karrierës së tij të suksesshme. Të mos harrojmë se Anton Qafarena në muajin maj të këtij viti u shpall kampion me Vllazninë dhe më pas firmosi në Gjermani. Një vend ky që është në elitën botërore të volejbollit dhe për këtë arsye, dalja në finalen e Kupës padyshim që është tregues i një suksesi të madh të tij.
© shkodrasport.com