Kukësi ndodhet aktualisht në vendin e 5-të në renditjen e Kategorisë Superiore pas 17 javësh. Verilindorët janë 11 pikë larg nga Vllaznia kryesuese dhe presidenti, Safet Gjici është dorëzuar për titullin kampion.

Në një intervistë për “News 24”, Gjici ka zbuluar dy objektivat e reja të Kukësit, ndërsa ka folur edhe për stadiumin që po ndërtohet. Numri një i skuadrës kukësiane u shpreh se po pritet fondi i Qeverisë që stadiumi të mbyllet përfundimisht.

“Me këtë distancë pikësh që kemi, nuk mund të themi që jemi për titull kampion. Por, 2 objektivat e rëndësishme tani janë Kupa e Republikës dhe pjesëmarrja në Europë, që do të thotë vendin e 2-të vend i 3-të.

Vllaznia unë them që ka një ekip jo me shumë emra të mëdhenj, por një ekip me frymë dhe grintë, që luan në grup. Kështu që është bërë mirë nga trajneri dhe stafi dhe kanë arritur aty ku kanë arritur. Si do të shkojnë deri në fund të kampionati, do t’ia lemë kohës”.

Përfundimi i stadiumi? “Ne së fundmi kemi bërë të mundur me kryeministrin Rama, kemi biseduar, ka dhënë një urdhër që të nxjerrin fondin e stadiumit, për sa i takon pjesës së qeverisë.

Pjesa e FSHF është e gatshme, në momentin që kalon pjesa e fondit nga qeveria te kompania. Jo më larg se dje kemi folur, për të bërë donacionin dhe për të kaluar fondin e stadiumit të Kukësit për pjesën e qeverisë, që ka ngelur pa u kaluar. Unë besoj që në momentin që kalojnë fondet, stadiumi për 3-4 muaj është i përfunduar, sepse shumica e punëve kryesore kanë përfunduar”, u shpreh Gjici./newsport/