Rreth 1 mijë tifozë shkodranë ishin të pranishëm sot pasdite në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” për të ndjekur ndeshjen e parë të Vllaznisë në kampionat, atë ndaj Barleti Eagles.

Shumë prej tyre kishin ardhur për të parë debutimin e basketbollistëve amerikanë që janë ofruar së fundi tek Vllaznia, por në fakt vetëm njëri prej tyre ka luajtur ndërsa tre të tjerët kanë qenë në tribunë për arsye të procedurave të federimit.

E në mungesë të amerikanëve, rolin e liderit e ka marrë Dodë Lekndreaj. Ai ka qenë më i miri në këtë ndeshje dhe për rrjedhojë ka marrë edhe përgëzimet e trajnerit Gospodinov pas ndeshjes.

Ky basketbollist ka qenë pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes sepse ka shënuar plot 28 pikë dhe po ashtu ka patur edhe 12 rebounde dhe trajneri e ka konsideruar “një ndeshje ekselente” të Lekndreajt.

Padyshim që kjo paraqitja e sotme e këtij lojtari është një lajm i mirë për stafin teknik të Vllaznisë sepse ofron garanci edhe për takimet e ardhshme, në një kohë që ndonjëri nga lojtarët amerikanë që ka ardhur, nuk po tregon vlerat e duhura në stërvitje deri më tani.
www.shkodrasport.com