Data 11 maj mund të jetë një nga më të rëndësishmet në historinë e Vllaznisë. Klubi më i vjetër në Shqipëri, i themeluar që nga viti 1919, për herë të parë do të kalojw nga shteti tek privati. Ajo që prej vitesh kërkohet në futbollin shqiptar, privatizimi i klubeve, duket se Vllaznia po e kthen më në fund në realitet, pas problemeve që ka hasur nën administrimin e bashkisë, ku madje përfundoi aq keq sa ra një kategori më poshtë.
Ankandi do të jetë i hapur dhe aktualisht kandidatët janë 3: sponsori aktual Alban Xhaferri, i cili këtë sezon i ka qëndruar shumë pranë ekipit dhe ka qenë një ndër protagonistët në ecurinë pozitive të kuqebluve që janë ende në garë për titull.
Tjetri është Valter Fushaj, shumë i njohur në ambientin sportiv, si ish-president i Vllaznisë, post që e mori në vitin 2006, teksa ishte pikërisht ai në krye të klubit në 2008-ën kur kuqeblutë morën trofeun e fundit, atë të Kupës së Shqipërisë; kandidati tjetër nuk është shumë i njohur në ambientin sportive, quhet Almiro Gurakuqi dhe është një stomatolog me reputacion, teksa përflitet se ka në krah një grup binzesmenësh të gatshëm që ta mbështesin në këtë iniciativë.
Procesi që do të ndiqet në këtë tender është i thjeshtë: ai, që ofron më shumë, do të jetë pronari i ri i klubit Vllaznia. Xhaferri është pak më i avantazhuar për shkak edhe të investimeve që ka kryer këtë sezon, një ndikim mund të ketë edhe marrëdhënia e mirë me kryebashkiaken Ademi. Fushaj ka më shumë përvojë se dy kandidatët e tjerë, ndërsa Gurakuqi është i udhëhequr nga entuziazmi. Mund të ketë edhe ndonjë kandaidat i sekondave të fundit.
Kjo është e vetmja rrugë drejt shkëputjes nga e shkuara dhe nisjes së një rrugë të re që të paktën në letër duhet të sigurojë një të ardhme të ndritur për Vllazninë./supersport/