Në intervistën pas fitores së sotme, Ditmar Bicaj është shprehur shumë i lumtur për suksesin që ekipi i tij mori përballë Lushnjes.

Ai pranoi për mikrofonin e “Super Sport” se të luash kundër Lushnjes ishte më e vështirë se sa dukej.

“Të jem i sinqertë ishte një ndeshje shumë e vështire dhe e dinim këtë gjë sepse Lushnja luan futboll të mirë.

Këto ndeshje zgjidhen shpesh herë me goditje standare dhe kam qenë i markuar gjithë lojën. Në futboll jo gjithmone shënojnë sulmuesit.

Unë kam vlerësuar maksimalisht Sefën, pasi është një lojtar i mirë. Markimet për të kanë qenë të vështira sepse Sefa të hap punë.

Jam shumë i kënaqur me 3 pikët dhe mbas kualifikimit në kupë kemi mundësi të qetësohemi”- u shpreh Bicaj.

Gjatë intervistës, Astrit Hafizi e kritikoi për ndërhyrjet e ashpra që bën, ndërsa Bicaj u shpreh se do të mundohet ti përmirësojë në ndeshjet e tjera.

Ai pranoi se ambientimi në Vlorë ka qenë shumë i vështirë pasi vinte nga një eksperiencë e dobët në Shkodër.

“Jam dakord me ato që thua ti sepse je njohës i mirë dhe profesor i çdo futbollisti. Do mundohem ta ndryshoj në javët në vijim punën e ndërhyrjeve.

Dua të them që ambientimi në fillim ka qenë i vështirë pasi vija nga një periudhë jo e mirë. Vllaznia po i reflekton këto probleme dhe këtë sezon dhe nuk kam qenë i kënaqur me rendimentin te Vllaznia sepse atje nuk ka një njeri që të qëndron sipër kokës për çdo situatë.

Kam ardhur te Flamurtari me kërkesën e Duros dhe kam ardhur me kënaqësi shumë të madhe. Ka qenë e vështirë për mua sepse erdha me besimin e trajnerit dhe mora karton të kuq.

Falenderoj shokët, tifozët e presidentin por mbi të gjitha Duron. Jam rikthyer në formë optimale dhe e them që ndihem shumë mirë”- përfundoi Bicaj. /vipsport/