Transferimi i Erald Çinarit në Spanjë, mund të jetë lajmi më i bukur për lojtarin, por dhe për kombëtaren e Shpresave.
Ashtu siç u njoftua më parë, klubi i Alaves ka blerë kartonin e 21-vjeçarit dhe tashmë transferimi i tij është thjesht çështje procedurash.
Pas rënies së Vllaznisë nga Kategoria për lojtarin ka pasur mjaft interes edhe nga Superiorja, por tashmë e ardhmja e tij duket se do të jetë e ndritur.
Newsport.al ka mësuar detajet e këtij kalimi të Çinarit në Spanjë. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije që klubi i Alaves ka derdhur në llogarinë e klubit të Vllaznisë 20 mijë euro për kartonin e tij.
Ndërsa vetë futbollisti mësohet se ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 150 mijë euro në sezon.
Drejtuesit e klubit spanjoll kanë vendosur që në vitin e parë, Çinari të huazohet në Francë ose në Kroaci, me qëllim që të rritet si futbollist.
Duke qenë se Alaves nuk ka skuadër të dytë, drejtuesit spanjollë kanë vendosur që destinacioni i 21-vjeçarit të jetë Sosho në Francë ose të luajë në Superligën kroate. /Newsport/