UEFA ka bërë zyrtare sot skemën e shortit të Euro 2020 dhe pjesëmarrjes në këtë kompeticion, duke treguar se si do të jetë rrugëtimi dhe ndarja në vazo e skuadrave që duan të marrin pjesë në aktivitetin unik i cili shëtit në të gjithë kontinentin.

UEFA konfirmoi se turneu do të zhvillohet me 10 grupe të ndara me 5 apo 6 skuadra dhe 2 të parat e çdo grupi do të shkonin në fazën finale të aktivitetit. Ndërkohë, 4 vendet që mbeteshin për të plotësuar 24-shen do të dilnin nga play-off i veçantë që do të krijohet falë Ligës së Kombeve.

Pikërisht ky turne është vendimtar edhe për ndarjen e vazove për shortin dhe kjo do të thotë se Shqipëria rrezikon seriozisht që ta shohë veten në vazon e katërt.

Pjesëtarët e Ligës C në Ligën e Kombeve, renditen nga vendi i 25-të, deri në vendin e 39-të në atë që do të jetë klasifikimi përfundimtar i këtij edicioni që do të publikohet në muajin nëntor.

Skuadrat nga vendi i 25-të, deri në vendin e 30-të, do të renditen në vazon e tretë, ndërsa skuadrat e mbetura të Ligës C, do të kalojnë në vazon e katërt në shortin e Euro 2020. Kjo do të thotë që Shqipëria duhet të fitojë grupin për të qenë e sigurt për pjesëmarrjen në vazon e tretë, të fituar me shumë mund në periudhën e De Biazit.

Vendet ku mund të renditet përfaqësuesja shqiptare në shortin e Euro 2020 në bazë të rezultateve në Ligën e Kombeve

Përndryshe duhet të shpresojë të jetë ndër të dytat më të mira të katër grupeve të Ligës C, për të mos rënë në vazon e katërt që padyshim do të bënte shumë më të vështirë kalimin e saj në Euro 2020. /vipsport.al/