Dilemat kanë qenë të mëdha nëse do të shtonte edhe organizimi i ndeshjeve të Euro U21 vitin e ardhshëm në Shkodër, ashtu siç dështoi ai i Kampionatit Europian U17 vitin që shkoi. Këtë herë duket se gjërat janë në rrugën e duhur dhe vetë Bashkia e këtij qyteti ka garantuar një gjë të tillë.
Një gjë e tillë e ka pranuar edhe vetë kryebashkiaku Benet Beci në një postim të bërë në faqen e tij pas takimit që ka patur me një përfaqësues të lartë të UEFA-s dhe për këtë shkruan:
“Në 2027, futbolli europian vjen në Shkodër!
Qyteti ynë do të jetë pjesë e Kampionatit Europian U21, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit europian për të rinjtë, me stadiumin “Loro Boriçi” që do të mirëpresë ndeshjet e këtij kompeticioni.
Në kuadër të përgatitjeve, zhvillova një takim me Guillaume Poisson, Drejtues i Operacioneve të Turneve në UEFA, me të cilin diskutuam mbi organizimin e kampionatit dhe përgatitjet e nevojshme për Shkodrën si një prej qyteteve pritëse.
Me traditën e saj të madhe sportive, pasionin e jashtëzakonshëm për futbollin dhe mikpritjen që e karakterizon, Shkodra do të jetë një skenë e denjë për këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare”.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


