Vllaznia do presë sot skuadrën e Teutës në ndeshjen e javës së 20-të të kampionatit. Ndeshje që do zhvillohet në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Takim që risjell në memorie duelet e sezonit të shkuar që ishin për titull. Por këtë sezon të dy ekipet nuk po gëzojnë formën e vitit të shkuar. Megjithatë sfida pritet të jetë e luftuar dhe të prodhojë një ndeshje interesante.

Por Vllaznia nuk njeh fitore në ndeshjet shtëpiake në kampionat prej 2 muajsh. Fitorja e fundit në Superligë, brenda në “Loro Boriçi”, daton më 12.12.2021. Datë kur luhej java e 13-të e kampionatit dhe kuqeblutë fituan në shifrat 2-0 përballë Skënderbeut. Ndeshje ku shënonin Hoxhaj dhe Aralica.

Që prej atij takim Vllaznia ka luajtur edhe dy herë të tjera në Shkodër. Ku është ndalur në barazime kundër Kukësit dhe Egnatias në shifrat 1-1 në të dy ndeshjet. E vetmja fitore gjatë kësaj periudhe në shtëpi është ajo e ditës së enjte përballë Flamurtarit me rezultatin 1-0. Por ndeshja ishte e vlefshme për çerekfinalen e kthimit të kupës së Shqipërisë.

Tashmë sot Vllaznisë i duhet që përveç fitores që do krijonte njëfarë vazhdimësie, të thyjë edhe “tersin” shtëpiak. Patjetër që stadiumi “Loro Boriçi” dhe tifozët shkodranë duhet të jenë një plus akoma më shumë për futbollistët që do zbresin në fushën e lojës për tu ndeshur me Teutën.

Endri ÇINARI