Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do jetë vizitore në kryeqytet në javën e 35-të të Superiores. Raundi që do zhvillohet i plotë ditën e nesërme në orën 16:00, i shikon kuqeblutë përballë Tiranës. Një duel shumë përcaktues për të dy ekipet. Kjo pasi Vllaznia kërkon të ruajë me fanatizëm vendin e dytë në renditje. E ndërsa bardheblutë kanë “trenin e fundit” për kalimin në “final 4”.

Prandaj ndeshja e nesërme e “klasikes” së Shqipërisë pritet me plot interes. Dhe me patjetër është dueli më i fortë i raundit të parafundit të këtij edicioni. Statistikat flasin në favor të Vllaznisë në sezonet e fundit përsa i përket ndeshjeve të zhvilluara në kryeqytet. Kuqeblutë humbjen e fundit me Tiranën në transfertë e shënojnë para dy vitesh.

Më saktësisht në datën 14.05.2022, ku Tirana fitonte 3-1. Kjo falë golave të Seferit, Totres dhe Xhixhes. Që nga ajo periudhë, Vllaznia ka marrë 3 fitore në kryeqytet në 3 ndeshjet e zhvilluara për kampionat. Duke numëruar këtu fitoret e sezonit të shkuar, ku kuqeblutë fitonin respektivisht me rezultatet 1-2 dhe 0-1 ndaj bardhebluve.

E po ashtu duke shtuar këtu edhe ndeshjen e këtij sezoni, ku në fazën e dytë, Vllaznia fitoi 0-1 në Tiranë. Falë një goli të shënuar nga Balaj me anë të një penalltie. Pra një dominim i Vllaznisë në ndeshjet e luajtura në kryeqytet. Ku edhe nesër 9 herë kampionët e vendit do kërkojnë triumfin për të “blinduar” vendin e dytë dhe për ti dhënë goditjen përfundimtare kundërshtarit të përjetshëm./www.shkodrasport.com/