Vllaznia e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit në krye të renditjes dhe padyshim që kjo përbën një sukses për të. Një arritje jo e vogël, nisur edhe nga problematikat e shumta që ka kaluar, sidomos ajo me mungesën e një numri të konsiderueshëm lojtarësh thuajse në çdo ndeshje të deritanishme.

Dhe kjo ka bërë që stafi teknik t’u japë mundësinë të aktivizohen edhe lojtarëve të stolit. Nuk e dimë saktësisht numrin e lojtarëve që kanë aktivizuar ekipet e tjera, por me siguri që edhe në këtë aspekt me shumë mundësi Vllaznia do të jetë gjithashtu në vendin e parë.

Trajneri Edi Martini në 9 javët e para të kampionatit ka aktivizuar plot 23 futbollistë. Nga lista e lojtarëve të federuar vetëm mbrojtësi boshnjak Jasmin Çelikoviç që u bashkua me vonesë me ekipin, nuk është aktivizuar akoma asnjë minutë. E po ashtu edhe portieri i tretë Rezart Bunjaj. Gjithë të tjerët po.

Të vetmit lojtarë që kanë qenë në fushë në të 9 ndeshjet janë Andrey Yago, Ardit Krymi, Sherif Kallaku, Esat Mala, Lirim Kastrati dhe Bekim Balaj. Ndërsa sa i takon minutave, është kapiteni Balaj që ka luajtur më shumë, plot 804 dhe pas tij vjen Mala me 720 minuta.

Ndërsa më pak të aktivizuar kuptohet në minuta kuptohet që janë të rinjtë, Ara me vetëm 11 minuta në 2 ndeshje, Ensar Tafili me 54 minuta në 6 ndeshje dhe Gerald Kubazi me 71 minuta në 5 ndeshje. Tek më pak të aktivizuarit është edhe Alfred Mensah që luajti vetëm 9 minuta në 2 ndeshjet e para dhe më pas u largua për tek Tirana.(www.shkodrasport.com)