Shënkolli i sfidës së nesërme padyshim që nuk do të jetë ai i miqësores me të cilin Vllaznia ka luajtur në muajin gusht, por edhe kuqeblutë nuk do të jenë të njëjtit. Objektivi i tyre është i qartë, për ta fituar edhe këtë sfidë.

Kështu ka deklaruar për mediat një ditë para kësaj ndeshje trajneri i ekipit shkodran Hasan Lika. “Kemi të bëjmë me një ndeshje të fortë sepse edhe ekipi i Shënkollit kërkon të japë maksimumin në fushën e tyre ashtu si çdo skuadër tjetër për të arritur objektivin që ka, në mënyrë që me mbarimin e fazës së dytë të jenë të pozicionuar në pesëshen e parë të renditjes dhe t’i largohet pjesës së fundit të klasifikimit.

Kështu që jemi të ndërgjegjshëm se na pret një ndeshje e fortë nesër në Shënkoll. Këtë kundërshtar deri diku e njohim sepse kemi luajtur edhe një miqësore me të kohë më parë dhe vërtetë Shënkolli mund të mos jetë ai i asaj miqësoreje, por edhe Vllaznia nuk është ajo e miqësores.

Të dyja skuadrat janë rritur dhe shpresoj që të kemi një ndeshje të mirë nesër”- është shprehur fillimisht numri 1 i pankinës shkodrane. Sipas Likës, skuadra edhe në këtë ndeshje do të ketë mungesa, por kjo nuk e kushtëzon objektivin që ajo ka në këtë sfidë, në të cilën Vllaznia do të mundohet të përmirësohet edhe më shumë në aspektin sulmues.

“Për këtë takim Malota nuk do të jetë i gatshëm ndërsa Gilmani (Lika) është pothuajse i gatshëm, ndoshta jo për 90 minuta të plota por do jetë me skuadrën. Në hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe kështu do veprojmë edhe ndaj Shënkollit. Dhe nëse e realizojmë këtë ndeshje ashtu si herët e tjera, besoj se do ia dalim me sukses.

Po përmirësohemi çdo ditë e më shumë dhe tashmë vëmendja është në aspektin tekniko- taktik sepse për sa i përket luftës sportive, futbollistët nga ndeshja në ndeshje kanë ardhur duke e rritur atë. Jam i bindur se do ta kalojmë me sukses edhe këtë takim. E rëndësishme është të krijojmë raste dhe të shënojmë dhe po ashtu të mos e lejojmë kundërshtarin të na rrezikojë.

Ne punojmë në të dy drejtimet dhe nëse në njërin duket se jemi më pozitiv, në aspektin mbrojtës, mendojmë se duhet të përmirësohemi akoma edhe më shumë në atë sulmues”- thotë në fund Lika.Ndeshja Shënkolli- Vllaznia e vlefshme për javën e shtatë të kategorisë së parë, do të luhet të shtunën në orën 14.00 në fushën e Shënkollit.
www.shkodrasport.com