FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot 21 vjetori i krijimit të 'Juban Danjes', ekipit të parë...

ALMANAK/ Sot 21 vjetori i krijimit të ‘Juban Danjes’, ekipit të parë të futbollit të femrave në Shqipëri

Shkruar nga Gjergj KOLA

Sot në Juban ka sërish festë. Do të festohet 21-vjetori i krijimit të “Juban Danjes”, ekipit të parë zyrtar të futbollit të femrave në vendin tonë. Ky është një moment historik për futbollin shqiptar.

21 vite më parë, në Juban të Shkodrës do të lindte një ekip futbolli për femra. Një ekip që shumë shpejt do të bëhej historik, pasi do të rezultonte i pari i regjistruar zyrtarisht në Shqipëri. Data 6 shtator 2005 do të mbetet kështu e skalitur në historinë e futbollit shqiptar të femrave.

Në Shkodër, vite më parë, por edhe në Rubik e në ndonjë vend tjetër, kishte pasur iniciativa të ndryshme për krijimin e një ekipi futbolli për femra. Por ato kishin mbetur thjesht iniciativa.

Ajo e Jubanit ishte ndryshe. Sepse këtë herë gjithçka ishte serioze.

Njeriu që e mori përsipër këtë mision, Ferdinand Jaku, ishte një pasionant i madh i sportit dhe, mbi të gjitha, një prej atyre njerëzve që kur vendosin të marrin diçka përsipër, bëjnë gjithçka për ta çuar deri në fund. Mblodhi vajzat e Jubanit, mes tyre edhe bashkëshorten dhe vajzën e tij, dhe së bashku krijuan ekipin “Juban Danja”.

Me ndihmën e Marin Shanit, trajnerit të parë të këtij ekipi, mori udhë kjo histori, e cila edhe pas 21 vitesh vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e futbollit shqiptar të femrave.

Gjatë këtyre viteve, “Juban Danja” ka arritur të fitojë dy Kupa të Shqipërisë, në vitet 2012 dhe 2013. Në disa raste është afruar shumë pranë titullit kampion, por, për fat të keq, nuk ka mundur ta bëjë realitet këtë objektiv.

Ky ndoshta mbetet një nga pengjet e vetme të krijuesit të këtij ekipi, Ferdinand Jakut, por edhe të gjithë atyre që ndër vite kanë qenë pjesë e “Juban Danjes”.

Megjithatë, pavarësisht problemeve të kohëve të fundit, “Juban Danja” nuk ka për t’u harruar kurrë. Një emër i tillë tashmë është pjesë e historisë së futbollit shqiptar të femrave. Dhe historia, sado të vështira të jenë momentet, nuk fshihet.

“Juban Danja” mund të ringrihet sërish. Ndoshta edhe shumë shpejt.

Dhe nëse kjo ndodh, do të ishte jo vetëm një rikthim i një ekipi, por edhe një “goditje” e fortë për të gjithë ata që, ndoshta, menduan se ky emër mund të harrohej.

Por disa emra nuk harrohen.

Sidomos ata që kanë qenë të parët.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments