Policia spanjolle është detyruar të arrestojë një ekip futbolli në Alikante, pasi thuajse të gjithë futbollistët ishin në gjendje të dehur dhe po shkaktonin rrëmujë në një aeroplan që po mbërrinte nga Bristoli.

Mediet spanjolle kanë bërë të ditur se të shtunën e kaluar, një pilot i aeroplanit në pistën e Alikantes kishte kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi kishte probleme të mëdha në bord. Ai raportoi për situatë të pazakontë dhe prishje rendi gjatë fluturimit drejt Spanjës.

Policia ndërhyri menjëherë dhe ndaloi e shoqëroi në komisariat pjesëtarët e një skuadre futbolli amatore angleze, e cila po udhëtonte drejt Spanjës për një miqësore. Pjesa më e madhe e lojtarëve tregonin shenja se ishin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa gjatë rrugës kishin shqetësuar pasagjerët e tjerë me sjelljen e tyre.

Raportohet se në momentin kur 25 britanikët ishin shoqëruar jashtë aeroplanit, të gjithë pasagjerët kishin shpërthyer në brohoritje si shenjë falënderimi për policinë që i shpëtoi nga ky ekip futbolli.