Shkruar nga Endri ÇINARI
Ngelet një prej futbollistëve më të rëndësishëm tek Vllaznia, e po ashtu një nga më të mirët në rolin e tij në Superiore. Fjala është për Ardit Krymin, i cili në duelin e fundit kundër Flamurtarit, të fituar 3-2 nga ana shkodranëve realizoi edhe një numër paraqitjesh jubilare me fanellën kuqeblu. Kështu mesfushori me ndeshjen ndaj kuqezinjëve shënoi numrin e 300 ndeshjeve në total me skuadrën 9 herë kampione të vendit tonë. Paraqitje këto të llogaritura në të gjitha kompeticionet ku 29-vjeçari është aktivizuar me Vllazninë.
Duke përfshirë këtu duelet në Superiore, kupën e Shqipërisë, Superkupën e Shqipërisë, duelet në kupat e Europës e po ashtu një sezon në Kategorinë e Parë ku shkodranët morën pjesë në sezonin 2018-19. Kështu Krymi është shndërruar në një prej futbollistëve i cili ka shënuar më shumë paraqitje me Vllazninë gjatë gjithë historisë së klubit.
Me një futbollist i cili pavarësisht se ka pasur oferta të shumta dhe të majme nga ekipet më të mira të Superiores, ka vendosur t’i qëndrojë besnik skuadrës së tij të vendlindjes. Ku Krymi vetëm në edicionin 2022-23 është aktivizuar larg Vllaznisë, duke qenë pjesë e kampionatit bjellorus, ku ka qenë pjesë e ekipit Shaktjor Soligorski.
Mesfushori me tipare shkatërruese ka debutuar me fanellën kuqeblu që në sezonin 2014-15, ku që në fillimet e tij u shndërrua në një titullar të skuadrës pavarësisht moshës së tij të re. E më pas për të qenë një futbollist shumë i rëndësishëm për çdo trajner që ka ardhur te Vllaznia në 10 vitet e fundit e gjithashtu duke qenë një lojtar shumë i dashur për tifozët shkodranë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


