Manchester United pagoi plot 95 milionë euro për të transferuar nga Ajax, Antony. Braziliani konsiderohet si xhevahiri i së tashmes dhe së ardhmes në Old Trafford duke qenë se është vetëm 22-vjeç. Në paraqitjet e para me fanellën e “Djajve të Kuq”, sulmuesi anësor ka nisur t’i bëjë tifozët e United të ëndërrojnë me shpejtësinë, driblimet apo edhe me golin e shënuar në debutim ndaj Ajax.

Por, jeta nuk ka qenë gjithnjë e bukur për Antony, i cili në një intervistë të gjatë për Sky Sports tregon vështirësitë me të cilat është përballur gjatë fëmijërisë së tij në Brazil. Antony shprehet se edhe ai vjen nga favelat, aty ku telashet kanë qenë “ushqimi” i përditshëm ndërsa shton se pavarësisht vuajtjeve ai dhe familja nuk e humbën kurrë buzëqeshjen që tashmë jeta duket se po ia kthen mbrapsht.

“Unë jam një djalosh i thjeshtë që vij nga favela, aty ku nuk kisha një dhomë timen. Flija në divan, nuk kisha as atlete për të luajtur futboll. Jetoja në mes të favelave dhe pak metra nga shtëpia ime ishte një qendër ku shpërndahej drogë. Ndonjëherë kur shikoja ndeshje në televizion, shtëpia mbushej me aromën e kanabisit.

Kishte edhe nga ato momente kur prindërit, vëllai dhe motrat përqafoheshin nga frika dhe luteshin për jetën. Më ka ndodhur edhe të më përmbytej shtëpia dhe duhej të nxirrja ujin në mesin e natës, por unë dhe familja ime nuk e humbëm kurrë buzëqeshjen pavarësisht vuajtjeve me të cilat u përballëm.

Por, plani im ishte i qartë; Unë doja të bëhesha futbollist. Nuk kam pasur asnjëherë një plan B, vëllai im më ka ndihmuar gjithnjë dhe më mësonte si të dribloja topin. Ai është ende me mua edhe sot. U transferova te Ajaxi në kohën e pandemisë, ishte e vështirë të largohesha nga djali im, i humba hapat e tij të parë. Por, kjo është sakrifica që duhet të bëj për t’i dhuruar atij një të ardhme të mirë me të cilën ai mund të krenohet. Natën qaja kur mendoja për të, por tani është pranë meje dhe unë jam i lumtur.

Transferimi te United? Ishte i vështirë dhe unë isha në ankth, mezi prisja të bashkohesha me Manchester United. Kishte momente që nuk më zinte gjumi dhe nuk mund të mendoja për diçka tjetër. I jam mirënjohës klubit që këmbënguli për të më transferuar dhe për besimin.

Debutimi me gol? Kur pashë topin në rrjetë dhe njerëzit duke festuar, u emocionova shumë. Goli ishte për familjen time dhe për tifozët e United”, u shpreh Antony.