Një start zhgënjyes i sezonit, bëri që trajneri Thomas Tuchel të shkarkohej nga detyra si trajner i Chelsea teksa në postin e gjermanit është emëruar Graham Potter.

Gjithsesi, fajin për rezultatet e dobta nuk mund të bien vetëm mbi Tuchel duke qenë se përgjegjësi dhe jo pak, kanë edhe lojtarët që zbresin në fushë. Dhe, këtë e pranon mesfushori Jorginho i cili thekson se tashmë sfida e skuadrës është të rigjejë besimin.

“Ne jemi një skuadër dhe sigurisht nuk mund të jetë përgjegjësia e vetëm një personi për rezultatet zhgënjyese. Në shkarkimin e Tuchel kemi faj edhe ne lojtarët, u munduam të ndryshonim dhe të përmirësoheshim por nuk funksionoi. Sfida e skuadrës tashmë është të rigjejë besimin e humbur, kemi ndeshje përpara dhe nuk kemi shumë kohë për t’u menduar.

Potter? Për të është një sfidë, por mendoj se ai do të bëjë mirë sepse ka ide të veçanta dhe ne do të mundohemi ta ndihmojmë sa më shumë. Ky është një kombinim i mirë për të marrë rezultate të mira. Megjithatë, duhet të përshtatemi sa më shpejt të jetë e mundur me idetë e tij për futbollin. Deri tani Potter është treguar shumë i mirë, duke na pyetur edhe se me çfarë ndihemi rehat në fushë”, u shpreh Jorginho.