Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti fitoren e rradhës në kampionat kundër Bylis në javën e 7-të të Superiores, me shkodranët që triumfuan në Ballsh me rezultatin 0-1 falë një autogoli të vendasve. Ky ishte edhe suksesi i 3-të rradhazi për skuadrën e drejtuar nga Martini.

Me kuqeblutë që në këtë mënyrë krijojnë vazhdimësinë e aq kërkuar në kampionat dhe nisin shkëputjen nga rivalët. Por, përveç suksesit dhe 3 pikëve me shumë vlerë në “Adush Muça”, ajo që kënaq në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit është edhe mos pësimi i golave.

Me ndeshjen ndaj Bylis, shkodranët bëjnë ndeshjen e 3-të rradhazi ku mbajnë portën e paprekur. Ku portieri Pohls ka 270 minuta që nuk pëson gol, duke vënë kështu një rekord në kampionatin e sivjetshëm. Kjo pasi asnjë skuadër apo portier nuk ka arritur ta mbajë portën e paprekur në 3 ndeshje rradhazi deri më tani. E në rradhët e shkodranëve duket se i kanë marrë seriozisht kritikat e këtih fillim sezoni, ku vërejtjet më të mëdha vinin pikërisht për portierin e mbrojtjen. Si edhe pësimin e shumtë te golave nga ana e Vllaznisë.

Tashmë skuadra duket se ka krijuar stabilitet në prapavijë dhe pavarësisht mungesave të disa titullarë në mbrojtje, ekipi rrezikon shumë pak për të pësuar gola. Ku siç thotë edhe një shprehje në futboll, që sulmi fiton ndeshjet e ndërsa mbrojtja fiton tituj. Një mendësi që po aplikohet më së miri tek kuqeblutë në javët e fundit, të cilët përveç 3 fitoreve rradhazi kanë mbajtur të paprekur rrjetën e tyre po ashtu në këto 3 duele.(www.shkodrasport.com)