Karim Benzema bëhet gati t’i japë lamtumirën Real Madrid. Ky është lajmi i bujshëm që vjen nga Spanja, ku është mësuar për një ofertë të parefuzueshme që ylli francez ka marrë nga Arabia Saudite, për të luajtur atje duke filluar që nga sezoni i ardhshëm.

Fituesi i “Topit të Artë” në edicionin e kaluar ka marrë një ofertë të jashtëzakonshme nga Al Itihad, që i garanton 200 milionë euro në sezon për një kontratë dyvjeçare, me mundësinë që të bëhet ambasador turizmi i Arabisë Saudite, ashtu siç është Mesi apo siç do të bëhet Ronaldo.

Një ofertë që ka vënë në mendime sulmuesin i cili sipas “AS”, po mendon seriozisht largimin nga madrilenët. Ai nuk ka marrë asnjë vendim përfundimtar, por ka informuar klubin që ka marrë një ofertë të tillë dhe po mendohet. Sipas klauzolës që ka në kontratë, marrëveshja e tij me Real Madrid është rinovuar për një tjetër vit pasi ai fitoi “Topin e Artë”.

Por Reali nuk do ta pengojë të largohet nëse ai vendos të vazhdojë vitet e fundit të karrierës në Arabisë Saudite, si shenjë mirënjohje ndaj asaj që ka bërë për këtë klub duke shkruar historinë pasi fitoi me të 5 herë Ligën e Kampioneve.