Nuk kanë fund peripecitë e udhëtimeve në mes të krizës së koronavirusit. Fluturimet e anulluara e kufijtë e mbyllur kanë bërë që shumë njerëz të mbeten për ditë të tëra të bllokuar në vende të tjera e ka prej atyre që kanë mbetur duke fjetur në aeroporte, në pritje të një fluturimi që nuk gjendet.

Pak javë më parë, një situatë të ngjashme e përjetoi gjyqtari i Superiores, Klajdi Kola. Sot, mediat gjermane kanë raportuar për situatën e çuditshme të tre futbollistëve argjentinas që kanë mbetur në të njëjtin aeroport, atë të Frankfurtit, ku flenë prej 5 ditësh.

Leonardo Gil, Sergio Vitor dhe Kristian Guanka janë të tre futbollistë që kanë qenë pjesë e skuadrave të Arabisë Saudite e tani po tentojnë të kthehen në shtëpitë tyre në Argjentinë, por pa shumë sukses.

Ata duhet të marrin leje të veçantë nga autoritetet argjentinase e për momentin nuk e kanë siguruar një të tillë. “Avionë bosh udhëtojnë nga Buenos Aires për të çuar në Argjentinë persona që nuk janë argjentinas, por ne kemi mbetur këtu”, tha Gil duke konfirmuar se leja nuk u kishte ardhur ende.

Gil luan për Al-Iihad, Vitor për Damac FC dhe Guanka për Al-Shabab ku është një nga golashënuesit më të mirë. Pasi gjithçka u ndal edhe në Arabinë Saudite, pa datë fikse për t’u rihapur, ata nisën udhëtimin drejt shtëpisë.

Por ata nuk e dinin kur mbërritën në Frankfurt se udhëtimi i tyre i radhës drejt Sao Paulo në Brazil ishte i kotë, pasi askush nuk lejohet të udhëtojë nga Brazili drejt Argjentinës. Ndaj ata mbetën në aeroportin gjerman në pritje që qeveria të lejojë ata të hipin në një nga udhëtimet direkte.

“Nuk largohemi dot nga aeroporti. Hoteli në tranzit ka vetëm pak dhoma, ka raste kur arrijmë të sigurojmë një, ka raste jo, e duhet të flemë në tokë në terminal”, tha Gil. Guanka përvec të tjerave, ka udhëtuar bashkë me gruan, dy vajzat (6 dhe 7 vjeç) si dhe mamanë 56-vjeçare.

“Mundohemi të kalojmë kohën duke luajtur me fëmijët”, tregoi Gil për situatën absurde. “Të paktën njerëzit në aeroport janë treguar të sjellshëm, na sjellin ushqime dy herë në ditë”, tha ai. /vipsport/