Vllaznia do luajë në javën e 26-të të kampionatit përballë Egnatias. Sfidë që do vijë ditën e shtunë dhe nuk pritet aspak e lehtë për shkodranët. Kjo për faktin se kuqeblutë vijnë nga një humbje kundër Tiranës dhe largimi i trajnerit Brdariç që ka sjellë një situatë të pamenduar.

Po ashtu edhe rrogozhinasit kërkojnë pikët e arta për mbijetesën. Kjo edhe për faktin se luajnë në shtëpinë e tyre ku do mundohen të japin më të mirën.

Në sfidat e këtij edicioni rrogozhinasit dhe shkodranët kanë pasur rezultate identike. Kështu në fazën e parë gjithçka u mbyll në një barazim 1-1, ku golit të Isenit, iu përgjigj me një penallti, Liridon Latifi.

E njëjta histori edhe në ndeshjen në Shkodër ku sërish Egnatia kalonte në avantazh me Ademin e më pas rezultati barazohej në 1-1 nga Krymi. Gjithçka në barazpeshë mes dy ekipeve gjatë këtij sezoni. Intersant është fakti se edhe ndeshja e fundit e para thuajse 17 vitesh mes dy skuadrave në sezonin 2004-05 është mbyllur me rezultatin 1-1.

Pra 3 sfida rradhazi mes Egnatias dhe Vllaznisë aë janë mbyllur me këto shifra. Të shtunën do shihet se cili ekipi mund ta thyejë këtë tabu, apo tradita e barazimeve dhe e rezultateve 1-1 do vijojë.
Endri ÇINARI