Sot është ditë e veçantë për mesfushorin- sulmuesi të Vllaznisë Ndriçim Shtubina sepse ai feston 33 vjetorin e lindjes. Lojtari që ka më shumë ndeshje të luajtura me Vllazninë në dekadën e fundit (208) dhe më shumë gola të shënuar (37), megjithatë ndjehet ende në formë dhe është i mendimit se ka ende për të dhënë për Vllazninë dhe për futbollin.
“33 vjeç sot por nuk e kam mendjen për të lënë sportin edhe njëherë. Përderisa kam dëshirë ende për të luajtur, mendoj të vazhdoj sërish, pastaj është trajneri, stërvitja, ana fizike e gjëra të tjera që vendosin nëse do të jem në fushë apo jo.
Sot koha po tregon se nëse stërvitesh rregullisht dhe mban rregjim, mosha nuk është pengesë. Nuk mendoj se mosha ime është ndonjë pengesë, megjithëse në Shkodër kur bëjmë një humbje, në ditën e parë të stërvitjes unë e Gilmani (Lika) bisedojmë me njëri- tjetrin dhe me të qeshur themi se “Vllaznia humb sepse ka në rradhët e saj ka pleq”.
Por mendoj se në futbollin e sotëm kjo moshë nuk është shumë e madhe, për më tepër kur stërvitja shkon mirë dhe testet fizike po ashtu janë të mira”- ka thënë ai.
I pyetur nëse është i kënaqur me atë çfarë ka dhënë për Vllazninë, Shtubina shton: “Jam i kënaqur me atë çfarë i kam dhënë Vllazninë dhe më vjen keq që e nisa karrierën dhe po e mbyll gradualisht pa fituar një trofe, por ka qenë fati im i keq dhe i këtij brezi lojtarësh të jetojnë me këto momente jo të mira të kësaj skuadre”.
Gazeta “Shkodra Sport” ndërkohë me këtë rast gjen momentin t’i uroj Ndriçim Shtubinës edhe 100 vite të tjera të lumtura!
© shkodrasport.com