Superliga shqiptare e futbollit zhvillon në fundjavë javën e 29-të. Vllaznia luan në transfertë me Teutën, të diel në 16:45. Shkodranët këtë sezon luajnë në dy fronte, ndërsa të mërkurë do përballen me Partizanin në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Kupën e Shqipërisë.

Kundërshtar në këtë sfidë do jetë edhe Herald Marku, ish-mesfushori kuqeblu që verën e shkuar u bashkua me Partizanin. Marku këtë sezon nuk është titullar fiks te Demat, ndryshe nga sezonin i shkuar.

Nëse flasim për ish-lojtarët e Vllaznisë që nuk kanë shkëlqyer këtë sezon, mund të përmendim edhe Isaevskin, Imamin apo Dajan Shehin, që me skuadrat respektive janë drejt rënies një kategori më poshtë.

Nëse sezonin e shkuar katër emrat e sipërpërmendur ishin ndër më të mirët e Superligës te Vllaznia që humbi titullin me golavarazh, këtë edicion lojtarët nuk kanë treguar të njëjtën formë pas largimit nga Shkodra./newsport/