Kapiteni i Vllaznisë në fazën e dytë të këtij sezoni, Amarildo Belisha, është në pritje të një oferte nga ana e drejtuesve të klubit shkodran. Mesfushori, që bën edhe rolin e mbrojtësit të majtë dhe atij të qendrës, është i bindur se edhe në sezonin e ri do të jetë pjesë e planeve të Vllaznisë. Megjithatë, për momentin nuk ka ende diçka konkrete mes palëve, pasi drejtuesit janë në një periudhë pushimi dhe të angazhuar me gjëra të tjera. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Belisha komenton sezonin që lamë pas, si dhe i bën thirrje klubit të mbajë titullarët.

Amarildo, ka përfunduar një sezon që kishte shumë oshilacione për Vllazninë. Vendi i gjashtë mund të quhet i pranueshëm?
Mund të them se është i pranueshëm në një farë mase, për vetë faktin se nuk e nisëm siç duhet. Defektet tona ishin që në fazën e parë. Megjithatë, edhe në të dytën gabuam në disa takime. Objektivi i fazës së dytë ishte më i madh nga çfarë ishin mundësitë. Duhet të rikuperonim shumë pikë që na ndikuan jo pak.
Keni përfunduar kontratën me klubin, për të ardhmen çfarë prisni?
Këto ditë jemi pushim. Një periudhë pushimi duket se kanë edhe drejtuesit e klubit, të cilat tani po merren me angazhime të tjera. Ndoshta pas kësaj faze pushimi, mund të them se çfarë do të bëhet. Kam qenë në planet e teknikut Bushati dhe besoj se do të jem përsëri edhe në sezonin e ardhshëm. Pres që të ulemi dhe të diskutojmë për të ardhmen time. Besoj do qëndroj te Vllaznia.
Nga skuadra është larguar Smajli. Si e komentoni?
Natyrisht që ndjej keqardhje që është larguar Smajli. Ai ishte një nga pikat më të forta të kësaj skuadre në sezonet e fundit. Tashmë duhet që drejtuesit të bëjnë të pamundurën për të mbajtur Vujadinoviçin dhe Dragoin. Duke shtuar këtu edhe Beqirin, apo ndonjë tjetër, mund të them se skuadra e ka një farë boshti dhe jo gjithçka starton nga e para. Nëse do të kërkohet që të bëhet një skuadër kompetitive për sezonin e ardhshëm, duhet që të ruhet në radhë të parë grupi i lojtarëve cilësorë që ka skuadra në dispozicion.
Besoni te një Vllazni pretendente në sezonin e ardhshëm?
Kjo është në dorën e tjetërkujt, por unë shpresoj që të ndërtohet një skuadër e tillë. Nëse ruhet boshti dhe bëhen afrime cilësore, atëherë jam i mendimit se do të jemi pretendentë. Por, nëse strategjia e klubit do të jetë për t’u bazuar tek elementi i ri, atëherë synimet për trofe nuk do të jenë sezonin e ardhshëm. Kjo varet nga ajo që do të bëjnë drejtuesit e klubit.

Admir Uruçi