Ditën e djeshme në Tiranë janë zhvilluar kampionatet kombëtare të grupmoshave U-13 dhe U-16  në atletikë. Në to kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit dhe ndër to padyshim edhe Vllaznia. Sipas kryetrajnerit të saj Albert Marashi, paraqitja e atletëve shkodranë ka qenë shumë e mirë. Për grupmoshën U-13 ato kanë zënë vendin e parë si ekip ndërsa për U-16 vendin e dytë pas Skënderbeut. Tek kjo e fundit, vendi i dytë nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së rezultateve por sepse Vllaznia nuk i ka mbuluar të gjitha disiplinat sportive sepse në kërcim së larti nuk ka patur sportistë për shkak se në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”, kjo disiplinë nuk ushtrohet. Atletët e Vllaznisë kanë dominuar në garat e kërcimeve ku madje në kërcimin së gjati, të tre vendet e para janë zënë nga ato dhe diferenca mes vendit të parë dhe të dytë ka qenë vetëm 1 cm dhe ajo çka është më e rëndësishmja në garën e 13 vjeçarëve, sportistët kanë kërcyer mbi 4 metra, që është një rezultat shumë i lartë. Sipas kryetrajnerit Marashi, pas pak ditësh do të zhvillohet kampionati i 18 vjeçarëve ku padyshim që Vllaznia do të kërkojë fitimin e titullit kampion.
Gjergj KOLA