Shkruar nga Endri ÇINARI
Ardhja e trajnerit të ri duket se ka sjellë një tjetër entuziasëm në radhët e Vllaznisë. Csaba Laszlo ka nisur punën me grupin dhe gjatë këtyre ditëve ka tentuar të përcjellë idetë e tij, duke kërkuar një reagim të shpejtë të skuadrës pas një starti aspak pozitiv në kampionat.
Sfida e radhës ndaj Dinamos do të jetë testi i parë për teknikun hungarez në drejtimin e kuqebluve, por përballë do të jetë një prej skuadrave më të forta të kampionatit. Një kundërshtar i tillë e vështirëson misionin, por në të njëjtën kohë përbën edhe një mundësi për Vllazninë që të tregojë një tjetër fytyrë.
Pas pesë javëve të para, shkodranët kanë grumbulluar vetëm dy pikë, si pasojë e tre humbjeve dhe dy barazimeve. Një bilanc që ka krijuar jo pak shqetësim, sidomos për një skuadër që në fillim të sezonit kishte objektiva të rëndësishëm.
Pikërisht për këtë arsye, Laszlo kërkon një reagim të menjëhershëm. Trajneri i ri synon të shohë në fushë një skuadër më të organizuar, më agresive dhe me më shumë besim, ndërsa një rezultat pozitiv ndaj Dinamos do të ishte një sinjal i rëndësishëm edhe për tifozët kuqeblu.
Në Shkodër tashmë shpresojnë që ndryshimi në stol të sjellë edhe ndryshimin e shumëkërkuar në rezultate. Fitorja e parë në kampionat mbetet objektivi, por për momentin më e rëndësishmja është që skuadra të reagojë dhe të tregojë se mund të përballet denjësisht edhe me një kundërshtar të nivelit të Dinamos.
Më pas, çështja e fitores do të jetë edhe një element i ambicies së Vllaznisë në këtë përballje. Laszlo kërkon mbi të gjitha një reagim të grupit dhe një rezultat që t’i japë skuadrës besim për vazhdimësinë. Nëse ky reagim do të shoqërohet edhe me fitoren e parë të sezonit, aq më mirë për kuqeblutë dhe për trajnerin e tyre të ri.


