Shkruar nga Endri ÇINARI
Në seancën e fundit stërvitore të Vllaznisë, një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen ka qenë puna e trajnerit të ri, Csaba Laszlo, me repartin e mbrojtjes. Tekniku hungarez duket se po përgatit një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e vendosjes së skuadrës në fushë, me një kalim drejt skemës me katër mbrojtës.
Në ndeshjet e fundit, kuqeblutë ishin paraqitur kryesisht me tre mbrojtës, ndërsa dy krahët kishin një rol të rëndësishëm në të dyja fazat e lojës. Ata duhej të kontribuonin si në organizimin e aksioneve sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, duke krijuar një strukturë që tashmë duket se mund të ndryshojë me ardhjen e Laszlos.
Trajneri hungarez ka punuar në detaje me grupin gjatë këtyre ditëve, duke kërkuar përshtatjen me idetë e tij taktike. Në fokus duket se është pikërisht vendosja me katër lojtarë në prapavijë, një organizim që do të kërkojë edhe një tjetër shpërndarje të detyrave për futbollistët e krahut.
Ky nuk është thjesht një ndryshim numerik në prapavijë, pasi kalimi nga tre në katër mbrojtës sjell edhe një tjetër mënyrë të organizimit të skuadrës. Më shumë përgjegjësi do të kenë edhe lojtarët e krahëve, ndërsa mesfushorët duhet të përshtaten me hapësirat dhe ekuilibrat e rinj në fushë.
Pikërisht përballë Dinamos do të shihet nëse Laszlo do t’i besojë përfundimisht kësaj formule. Sfida e radhës është një provë e rëndësishme për trajnerin e ri, i cili ka pasur pak kohë në dispozicion për të njohur grupin dhe për të vendosur idetë e tij taktike.
Për Vllazninë, ky mund të jetë një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën e lojës pas një periudhe ku skuadra ishte mësuar me mbrojtjen me tre. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të reagojë grupi ndaj vendosjes së re dhe nëse katërshja në prapavijë do të jetë zgjedhja e Laszlos për përballjen ndaj Dinamos.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


