Kombëtarja shqiptare e volejbollit për meshkuj është e grumbulluar prej ditësh në Tiranë në prag të ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Botëror. Në rradhët e saj kanë qenë 18 volejbollistë por nga dita e djeshme, ka “patur shkurtime” në rradhët e saj. Nuk do jenë më në këtë grumbullim dhe interesant është fakti se nga 4 volejbollistët e larguar nga trajneri Ylli Tomori, tre janë të Vllaznisë. Bëhet fjalë për Niko Qafarenën, Atrid Milotin dhe Klaudio Qeraxhinë. Në kushte të tilla, tashmë në kombëtare nuk ka më asnjë volejbollist të Vllaznisë. Paksa e çuditshme kjo teksa janë ende pjesë e saj plot 6 sportistë të Studentit, 4 të Teutës dhe 1 i Tiranës. Vllaznia e vendit të katërt në kampionat nuk ka asnjë pjestar të saj tashmë në kombëtare ndonëse dy ditë më parë vetë trajneri Tomori në një prononcim të tij pat evidentuar një sportist si Qeraxhia si me shumë të ardhme për kombëtare. Nga ana tjetër, po ky trajner pat thënë se nuk dua të më paragjykojnë të tjerët se gjoja po përkrah sportistët e tij tek Studenti por në fakt kështu po ndodh. Largimi i të tre shkodranëve nga kombëtarja nuk ka sesi shpjegohet ndryshe. Megjithatë ndonëse janë larguar tre volejbollistët e Vllaznisë, janë dy shkodranë të tjerë, Ditmir Rrashketa që është pjesë e Studentit dhe Gert Lishi që vjen nga Amerika.
www.shkodrasport.com