Nëse ka filluar të mendohet për sezonin e ri, disa prej specialistëve shkodranë mendojnë se Vllaznia është e vonuar sa I takon përgatitjeve për të. Këtë e thonë emra të tillë si Ramazan Rragami, Esat Rakiqi, Nikoll Gjergji dhe Kujtim Shaba të cilët e njohin mirë realitetin e kampionatit shqiptar dhe për më tepër, e njohin mjaft mirë edhe situatën tek skuadra shkodrane. Ata janë skeptikë për Vllazninë e së nesërmes sepse në rradhë të para kjo skuadër nuk duket të ketë financa shumë të mëdha. Në kushte të tilla, kur ajo nuk ka as një bosht të saj, gjërat do bëhen më të vështira. 

“Jam disi larg Vllaznisë ngaqë kam qenë I angazhuar me punën tek stafi I Kukësit megjithatë e kam ndjekur skuadrën shkodrane edhe në distancë sepse I njoh lojtarët, njoh tifozët dhe pretendimet e kësaj skuadre. Dëgjoj të flitet shumë për të ardhmen megjithatë unë e shoh paksa të vështirë. Unë ende nuk e di se kush është tjetër I sigurtë tek Vllaznia me përjashtim të Tafilit, Hajdarit, Beqirit, Belishës, Markut dhe disa të rinjve të tjerë ndërkohë që pjesa tjetër e titullarëve mund të jetë larguar ose do largohet. Në kushte të tilla, unë e shoh jashtëzakonisht të vështirë të ardhmen e kësaj skuadre sepse në rradhë të parë duhet ndërtuar ajo sepse nëse vonohet në këtë drejti, atëherë trajnerët do çojnë supet përpjetë”- ka thënë Esat Rakiqi, trajneri 70 vjeçar që ka një jetë të tërë në pankina dhe e di fare mirë se si duhet ndërtuar një skuadër pretendente. Mendimin e tij e mbështet edhe një tjetër specialist, Ramazan Rragami. Ai ka disa kohë që ka lëshuar një alarm për këtë skuadër dhe e përsërit sërish këtë gjë.

“Skuadra ka patur një bosht edhe në sezonin e fundit pavarësisht vendit të gjashtë ku u rendit Vllaznia. Ka qenë një Vujadinoviç, një Smajl, një Dragoi, një Hajdari dhe ndonjë tjetër. Pra, kanë qenë   5-6 lojtarë që mbajnë peshën e ekipit dhe largimi I disa prej tyre, natyrisht, e kam thënë edhe më parë, përbën një alarm për Vllazninë. Ajo nuk ka një plan të qartë se çfarë do bëj për të ardhmen dhe mendoj se ka për të qenë shumë problem ndërtimi I një skuadre pretendente për sezonin e ri”- deklaron Rragami. Flitet për largime por në disa raste nuk shpjegohet taman edhe arsyeja e tyre. Kujtim Shaba, njeriu që ka mbajtur edhe postin e administratorit të klubit shkodran një vit më parë, thotë se largimi kryesor është për anën financiare dhe për këtë arsye ai bën thirrje për ndërtimin e një skuadre me futbollistë të rinj. “Për mendimin tim Vllaznia ka për të patur probleme për ndërtimin e saj në sezonin e ri. Futbollistët cilësorë sigurisht që do largohen kur nuk shohin gjë në terezi. Po ju them se Smajli ka marrë në Vlorë aq sa ka marrë për 4 vjet me rradhë në Shkodër. Vujadinoviç është në prag të largimit dhe po ashtu edhe Dragoi, me 90 për qind mendoj se e ka mbyll për dy vjet me Tiranën. Duke u larguar këto futbollistë, Vllaznisë I nevojiten për të blerë 7-8 futbollistë ndërkohë që nga drejtuesit kam dëgjuar se nevojiten 3-4 blerje. Problemi tjetër, ai më kryesori, është se ku do gjenden këto lojtarë. Dushku dhe Ilion LIka me shumë të ngjarë përfundojnë në Vlorë, Gilman Lika në Korçë, Progni qëndron në Kukës, atëherë ku do gjenden lojtarët cilësorë sepse kampionati shqiptar nuk ka më shumë se 10-12 futbollistë që bëjnë diferencën? Prandaj dhe them se jam skeptik për ndërtimin e një Vllaznie pretendente. Më mirë të mendohet për një skuadër me lojtarë të rinj shkodranë por që do krijohej Brenda 2-3 vitesh një Vllazni pretendente”- thotë Shaba. Gjërat tashmë të qarta. Edhe detajet që jepen. Një tjetër specialist, Nikoll Gjergji mendon se Vllaznia duhej të kishte menduar për skuadrën e sezonit të ardhshëm prej kohësh dhe jo të gjendej në vështirësi siç po gjendet tani. “Për të shkuar tek objektivi që ka deklaruar trajneri Bushati se Vllaznisë sezonin e ardhshëm do jetë në 3 ekipet e para, mendoj se është dashur të mendohet prej 2 muajsh përpara. Të ishin firmosë kontratat e reja me futbollistët aktualë dhe të mos lejoheshin për t’u larguar dhe më pas, të gjenin edhe 3-4 lojtarë të tjerë cilësorë, plus edhe të rinjtë që janë në skuadër dhe do krijohej një ansambël simpatik por kështu si ka nisur puna, unë e shoh të vështirë”- thotë Gjergji. Specialistët kanë folur. Ata kanë një jetë të tërë me futbollin dhe si të tillë s’mund të gabojnë kollaj. Megjithatë, pavarësisht moshës që kanë, e pranojnë t’u thonë se kanë gabuar në parashikimet e tyre, vetëm e vetëm që të shohin një Vllazni ashtu siç duhet të jetë. Por…..
Gjergj KOLA