Pasditen e nesërme në orën 18.00 në sallën e hotel “Colosseu” do të zhvillohet një ceremoni shumë e rëndësishme për nderimin e disa prej figurave më të njohura të sportit shkodran. Do jetë pikërisht presidenti i Republikës, z. Bamir Topi ai që do të dekorojë 6 figura të njohura sportive të qytetit tonë dhe emrat janë të gjithë të bujshëm. Duke filluar nga i madhi i futbollit Sabah Bizi, portieri i mirënjohur Paulin Ndoja, futbollisti tjetër Lin Shllaku, trajneri i boksit Zef Gjoni, ai i basketbollit Petrit Osmani dhe i mundjes Dedë Bregu.

Ata do vlerësohen pikërisht për kontributin e tyre të madh në vite në shërbim të sportit shkodran dhe atij shqiptar. Nga sa thuhet, të gjashtë këta figura të shquara pritet të marrin titullin “Mjeshtër i Madh”. Në ceremoninë e nesërme do të marrin pjesë edhe shumë figura të tjera sportive të Shkodrës për të nderuar kolegët e tyre në këtë ditë të veçantë. Presidenti Topi ka shfrytëzuar ndeshjen Vllaznia- Tirana që do luhet nesër në “Loro Boriçi” ku do jetë i pranishëm në tribunë, për të dhënë edhe këto çmime.