Ndonëse nuk është hera e parë, që përballet me të shkuarën e tij, gjithsesi sa herë, që vjen puna për Elbasanit, futbollisti shkodran, tashmë pjesë e adës së Velipojës, Safet Osja i kujton me shumë nostalgji dhe respekt ato dy sezone, ku në sezonin e parë si verdheblu, ai u shpall nënkampion dhe në të dytin “kampion” i vendit.

Por këtë të shtunë, Osja do të zbresë përsëri në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, si kundërshtar, duke kërkuar të marrë pikë, me ngjyrat e Adës së Velipojës, takim i vlefshëm për javën e gjashtë të Kategorisë së Parë, duke qenë një ndër takimet më të rëndësishme të kësaj jave. “Kam kaluar dy vite të shkëlqyera në Elbasan, duke arritur që të shpallem dhe “kampion”.Vazhdimisht i kujtoj me shumë nostalgji aty dy sezone, në këtë qytet, pasi mendoj se kamë dhënë gjithçka, por edhe kam marrë gjithçka. Sa herë, që kam zbritur në fushën e stadiumin të këtij qyteti, si kundërshtar, jam ndier si në shtëpinë time, por në krahun tjetër, duke u nisur nga fakti se gëzoj respekt për këdo dhe gjithçka në atë qytet, të them të drejtën ndieja emocione, siç do të kem edhe këtë javë. Por futbolli kështu e ka. Unë mendoj se kam lënë respektin e duhur në këtë qytet dhe tanimë i mbetet tifozërisë verdheblu, që për mua është e mrekullueshme, të më japë vlerësimin e duhur, edhe pse të shtunën do të jem kundërshtar, duke luajtur për Adën e Velipojës, e cila do të kërkojë pikë në këtë ndeshje”, mesfushori Safet Osja, i cili në sezonin 2004-2005 është shpallur nën-kampion me Elbasanin dhe një sezonin më vonë, pikërisht në sezonin 2005-2006 është kurorëzuar me titullin “Kampion” i Shqipërisë. Por më pas, ish-futbollisti i edhe i Vllaznisë, me të cilën ka fituar dy tituj kampion, një Kupë Shqipërie dhe një Super-Kupë, ka folur edhe për ekipin e tij të momentin dhe gjendjen e tij. “E kemi bërë një fillim shumë të mirë këtij sezoni dhe shpresojmë, që të vazhdojmë me këtë ritëm. Tek skuadra jonë ka disa element me eksperiencë, por edhe disa të tjerë të rinj, por me perspektivë. Ndonëse ende Ada nuk është gërshëtuar ashtu siç janë mundësitë, në lojën e saj, megjithatë pikët e grumbulluara deri tani, duke qenë në vendin e dytë, nuk janë rastësisht për ne, por si rezultat i punës së përbashkët të gjithë lojtarëve dhe stafit teknik. Por mendoj se kjo skuadër ka ende për të rritur në nivelin e lojës së saj dhe të konsolidimit të mëtejshëm. Kështu që të shtunën në Elbasan, synimet janë të qarta, për të marrë pikë nga ana jonë. Por gjithçka do t’i lihet fushës së lojës dhe se si do të rrjedhin ngjarjet në 90 minutat, që do të luhen në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. E respektojmë jashtëzakonisht shumë Elbasanin, pasi luan në fushën e vet, në radhë të parë, por edhe ai ka synime të qarta për t’u ngjitur menjëherë në Superligë. Kështu mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe me rivalitet, por në fund le të fitojë më i miri”, ka mbyllur prononcimin e tij, mesfushori i Adës së Velipojës, Safet Osja, dy ditë përpara kësaj ndeshjeje të rëndësishme për të dyja palët.