Humbja e javës së kaluar me Kastriotin ka ardhur si “bombë” në kampin velipojak. Atë askush nuk e kishte menduar, madje as barazimin. Të gjithë ishin bërë gati për një fitore dhe në rradhët e gjithë skuadrës apo dhe drejtuesve, kishte shumë optimizëm. Por në fakt ka ndodhur ndryshe. 45 minutat e dyta të kësaj ndeshje kanë qenë vërtetë për t’u harruar me një lojë shumë të dobët. Presidenti Alfred Pjetri fajin e humbjes sigurisht që ia adreson edhe gjyqtarit të ndeshjes kur thotë:

“Kanë qenë dy raste shumë të diskutueshme për 11-metërsh. Por nëse në të parin gjyqtari mund të ketë justifikim, për të dytin jo. Ne jemi Ada dhe ndodhemi në vendet e fundit të renditjes. Nuk jemi as Reali dhe as Barcelona që të mos e kemi problem dhënien e një apo dy 11-metërshave sepse do shënojmë gola të tjera. Për këtë arsye, pas ndeshjes por edhe sot jam shumë i revoltuar me gjykimin e ndeshjes me Kastriotin”. Duke mos dashur ta kalojë aspak ndëshkimin e gjyqtarit, trajneri Krepi ndalet kryesisht tek ana sportive e ndeshjes. Për këtë arsye, ka edhe kritika për skuadrën që ai drejton. “Kisha kohë që nuk më ndodhte një çorientim i tillë total i skuadrës siç na ndodhi këtë herë ndaj Kastriotit. Sidomos pjesa e dytë ka qenë shumë e dobët dhe përgjegjësia është e ne të gjithëve për këtë që ndodhi. Kurrsesi nuk duhej ta kishim humbur këtë ndeshje sepse tashmë gjërat janë bërë edhe më të vështira për ne”- është shprehur numri 1 i pankinës velipojake. Megjithatë tashmë kjo ndeshje dhe ajo humbje duhet të lihen pas. Kjo pasi skuadra ka nisur të mendojë për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e shtunë në Kavajë me Besën. Përballja në mes dy ekipeve të fundit në renditje të Grupit të Veriut, sigurisht që ka një rëndësi të madhe pasi fitorja e çdonjërës skuadrës “zhyt” tjetrën në krizë edhe më të thellë. Kjo gjë, e ka detyruar trajnerin Krepi të kërkojë edhe më shumë seriozitet nga futbollistët në të gjitha seancat stërvitore të kësaj jave për të bërë kthesën e duhur ditën e shtunë. Këtë gjë ai e thotë edhe në prononcimin e tij për gazetën kur shprehet: “Historia e ndeshjes me Kastriotin duhen lënë pas njëherë e mirë natyrisht duke analizuar dhe nxjerr mësime nga ato gabime të konstatuara. Mendjen tashmë e kemi tek ndeshja me Besën që do të luajmë të shtunën në Kavajë, në të cilën kurrsesi nuk duhet të humbasim. Futbollistët e Adës duhet të tregojnë vlerat e tyre të vërteta në një ndeshje kaq të rëndësishme e mbi të gjitha ndaj një ekipi me shumë traditë në futbollin shqiptar por që për momentin nuk po kalon momente të mira dhe është pranë nesh në renditje. Pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të kthehemi pa pikë nga Kavaja këtë herë dhe unë besoj se mund t’ia dalim”.

Gjergj KOLA