Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Sezoni i ri ka nisur, por problemet e vjetra vazhdojnë të shoqërojnë ekipet e volejbollit të Vllaznisë. Si te skuadra e femrave, ashtu edhe te ajo e meshkujve, shqetësimet nuk lidhen vetëm me atë që ndodh në parket, por me një situatë më të gjerë që prej kohësh kërkon vëmendje. Problematika kryesore mbetet financimi dhe pamundësia për të ndërtuar skuadra sa më konkurruese.
Në një kampionat ku ekipet rivale investojnë për afrimin e lojtareve me eksperiencë dhe, në disa raste, edhe volejbollisteve të huaja, Vllaznia duket se e ka gjithnjë e më të vështirë të ndjekë të njëjtin ritëm. Fondet në dispozicion nuk krijojnë shumë hapësira për përforcime cilësore, duke bërë që skuadrat të hyjnë në sezon me objektiva dhe mundësi të kufizuara. Kjo situatë është veçanërisht e dukshme te ekipi i femrave, por pas nuk mbetet as skuadra e meshkujve, ku problematikat e sezoneve të kaluara duket se nuk janë zgjidhur.
Trajneri Dorian Tafa dhe sportistet janë përballur me vështirësinë për të krijuar një grup konkurrues, ndërsa mungesa e investimeve të mjaftueshme ndikon drejtpërdrejt në cilësinë dhe perspektivën e ekipit. E njëjta situatë qëndron edhe tek ekipi i volejbollit të meshkujve padyshim. Por përtej financave, një tjetër problem që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm nga sezoni në sezon është mungesa e interesimit të publikut.
Pallati i sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, që dikur krijonte atmosferë të veçantë gjatë ndeshjeve të volejbollit, sot shpesh shfaqet me shumë pak tifozë në shkallët e tij. Kjo nuk është thjesht një çështje e një ndeshjeje apo e një jave kampionati, por një fenomen që kërkon të analizohet më thellë. Çfarë ka ndodhur me interesin e shkodranëve për sportin e lojërave me dorë? Volejbolli ka një traditë të rëndësishme në qytet, por edhe brezat e rinj duket se po largohen gradualisht nga shkallët e pallatit të sportit, ndërsa edhe Shoqatat e kanë gjithnjë e më të vështirë të ftojnë tifozët për t’i mbështetur, lidhur kjo edhe me rezultatet shumë të dobëta që kanë ndër vite ekipet e volejbollit të Vllaznisë, si meshkujt, ashtu edhe femrat.
Mungesa e publikut sjell edhe pasoja të tjera. Pa një mbështetje të gjerë tifozësh, zvogëlohet atmosfera në ndeshje, por edhe mundësia për të krijuar një sukses sportiv që tërheq sponsorë, mbështetës dhe më shumë vëmendje mediatike. Kështu, detyrimisht në momentin që ka më pak investime, krijohen skuadra më pak konkurruese, ndërsa mungesa e rezultateve dhe e një projekti afatgjatë ndikon edhe në interesimin e publikut. Në këtë pikë, pyetja nuk është vetëm se sa ndeshje do të fitojnë ekipet e Vllaznisë këtë sezon dhe çfarë suksesi mund të kenë.
Pyetja më e madhe është çfarë projekti ka për volejbollin shkodran dhe si mund të rikthehet ai në një nivel më të lartë sportiv dhe organizativ. Vllaznia ka traditë dhe emër në sportin shqiptar, por vetëm tradita nuk mjafton. Për të ndërtuar skuadra konkurruese nevojitet financim afatgjatë, organizim, investim te të rinjtë, afrimi i lojtareve cilësore dhe mbi të gjitha një strategji që të mos ndryshojë nga një sezon në tjetrin, siç ka ndodhur prej shumë vitesh me ekipet e volejbollit në Shkodër.
Sezoni sapo ka nisur, por problematika është shumë më e vjetër se ky kampionat. Dhe nëse këto çështje nuk marrin një zgjidhje konkrete, rreziku është që volejbolli i Vllaznisë të vazhdojë thjesht për të mbijetuar nga sezoni në sezon, pa mundur të rikthehet në atë rol që dikur kishte në sportin shqiptar. E trishtë ta thuash këtë, por realiteti ky është…
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


